Ndërlidhjet

Edhe katër viktima nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Shkup, Maqedoni e Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se edhe katër njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në këtë vend.

Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave atje shkon në 65.

Viktimat e fundit janë: një grua 58 vjeçe nga Tetova, dy nga Kumanova të moshës 81 dhe 47 vjeç dhe një 66-vjeçar nga Manastiri.

Sa i përket numrit të të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se janë shënuar edhe 13 raste të reja, ndërsa janë shëruar 53.

Në Maqedoninë e Veriut, me koronavirus janë të regjistruara gjithsej 1,399 raste dhe prej tyre 553 janë shëruar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 289 persona, me të cilët numri i përgjithshëm i testeve të kryera ka arritur në 15,409.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë i kërkoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të miratojë vendimin për aplikimin e gjobave për të gjithë personat që nuk mbajnë maska në vende publike dhe të mbyllura.

Vendosja e maskave është bërë e detyrueshme me rekomandim të Shtabit të Krizës.

Në rast të shkeljes së vendimit, gjoba për personat fizikë do të jetë 20 euro, ndërsa për personat juridikë 2,000 euro.

Kërkesa e ministrisë vjen pas pamjeve të shfaqura nga qytete të ndryshme se si qytetarët nuk e respektojnë vendimin për mbajtjen e maskave në vende ku nuk mund të ketë distancë sociale.

XS
SM
MD
LG