Ndërlidhjet

Miliona punëtorë në botë e shënojnë 1 Majin nga shtëpitë


KOSOVO -- Employees are seen working at a construction site of a new project as the sun sets in Pristina, November 5, 2017

Më 1 maj, miliona punëtorë në botë, zakonisht marrin pjesë në marshime dhe protesta për të shënuar, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por këtë vit shënimet e kësaj ditë nuk do ta kenë ndikimin e tyre, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.

Në Kosovë, shkalla e papunësisë pas përfundimit të pandemisë mund të shkojë në 50 për qind, nga rreth 30 për qind sa ka qenë në muajin mars, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

Ajdini po ashtu thotë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset, në mënyrë që të mund të mbajnë punëtorët në punë.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se papunësia paraqet sfidë të madhe dhe ajo është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor.

"Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë", ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Në Shtetet e Bashkuara autoritetet kanë njoftuar se që nga fillimi i krizës së pandemisë, 30 milionë qytetarë e kanë humbur vendin e punës.

Pandemia e koronavirusit e ka çuar në rënie ekonominë globale, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

“Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se në vitin 2009, pas krizës globale financiare”, ka thënë Georgiva.

Tubimet dhe marshimet në të gjithë Evropën janë anuluar për shkak të masave kundër pandemisë.

Sindikatat po u kërkojnë mbështetësve të zbukurojnë shtëpitë dhe ballkonet e tyre me flamuj ose të përdorin llogaritë e tyre në media sociale për të mbështetur punëtorët.

XS
SM
MD
LG