Ndërlidhjet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në vetizolim


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është vetizoluar dhe do të punojë nga shtëpia, pasi ka pasur kontakt me një zyrtar, i cili ka pasur kontakt të ngushtë me një person që ka dalë pozitiv në testin e COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

"Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri. Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin", ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kurti ka sqaruar se ka pasur kontakt me këtë zyrtar, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike.

"Do t'i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t'i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë", ka thënë Kurti.

Që nga data 8 shkurt deri më 10 maj, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 884.

Të dielën, sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, janë shëruar edhe dy persona duke e çuar numrin e të shëruarve në 655.

Deri më tani 28 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG