Ndërlidhjet

SHBA-ja mund të përballet me "dimrin më të errët" për shkak të pandemisë


Rick Bright

Një ish zyrtar i lartë shëndetësor i SHBA-së i ka thënë Kongresit amerikan se vendi mund të përballet me "dimrin e tij më të errët në historinë moderne" për shkak të koronavirusit.

Rick Bright, ishte udhëheqës i një agjencie qeveritare që bëri përpjekje të zhvillonte një vaksinë, por u shkarkua nga posti i tij, muajin e kaluar.

Ai ka thënë se ishte hequr nga puna për shkak të ngritjes së shqetësimeve, për mënyrën sesi SHBA-ja i është përgjigjur situatës me pandeminë.

Rick Bright ka qenë drejtor i Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor në SHBA.

Ai dëshmoi para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Bright i tha nënkomitetit për Shëndetësinë të Dhomës së Përfaqësuesve se për shkak të "mosveprimit" nga ana e autoriteteve në fazat e hershme të pandemisë ka ndodhur "humbje të jetërave" nga koronavirusi.

Ai tha se e kishte ngritur çështjen e mungesës së pajisjeve mjekësore në muajin janar, në "nivelet më të larta" të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), por "nuk mori asnjë përgjigje".

Në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi i ri janë infektuar rreth 1.4 milionë njerëz dhe rreth 82 mijë kanë vdekur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po bën presion që ekonomia e SHBA-së të rihapet shpejt, ka thënë se e ka shkarkuar zyrtarin amerikan pasi ai ishte një "punonjës i pakënaqur".

"Për mua ai nuk është asgjë më shumë se një person me të vërtetë i pakënaqur", tha Trump të enjten para gazetarëve, duke shtuar se ai nuk e njihte personalisht zyrtarin Bright.

Në fillim të kësaj jave, eksperti kryesor për sëmundjet infektive në SHBA, Anthony Fauci, paralajmëroi një komitet të Senatit se një heqje e parakohshme e masave të izolimit, mund të çojë në një shpërthim të përhapjes së koronavirusit. Presidenti Trump të mërkurën e quajti paralajmërimin e Faucit si të papranueshëm.

XS
SM
MD
LG