Ndërlidhjet

Shembet Teatri Kombëtar në Tiranë


Teatri Kombëtar i Shqipërisë
Teatri Kombëtar i Shqipërisë

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, forca të shumta policore dhe mjetet e rënda të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur punën për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Policia është konfrontuar me grupin e artistëve rezistentë që po mbronin Teatrin Kombëtar të cilët, së bashku me disa figura politike janë shoqëruar në komisariat, ndërsa zona është blinduar nga forcat e policisë.

Aksioni për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar ka përplasur policinë dhe qytetarët që po protestojnë edhe përgjatë ditës së diele.

Policia e Shtetit me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat ka hedhur poshtë akuzat se trupa e policisë ka qenë e armatosur dhe se nuk ka kryer akte dhune, siç pretendojë përfaqësuesit e partive politike.

Sipas policisë, deri më tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 37 qytetarë, ndërsa dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ai ka thënë se ky është "krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm".

Ai ka kritikuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, qytetarëve dhe artistëve që ndodheshin tek godina e Teatrit Kombëtar.

“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për MAFIEN në pushtet. Kjo pamje do kujtohet njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”, shkruan Meta.

Edhe misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Përmes një postimi në Twitter, BE-ja shpreh zhgënjimin e saj, ndërsa thotë se pavarësisht thirrjeve për dialog, institucionet shqiptare nuk e ndoqën këtë këshillë.

"Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”, thuhet në reagim.

BE-ja ka kërkuar që palët politike të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin përshkallëzimin e konfliktit social.

“Që në orët e para të këtij mëngjesi, kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren. Ne u bëjmë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzimin të situatës”, thuhet në reagim.

Agjencia evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “Europa Nostra” ka reaguar për shembjen e Teatrit përmes një postimi në Twitter. Agjencia e ka cilësuar të sotmen një ditë të trishtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën.

“Ditë e trishtë për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Evropë. Ditë e trishtë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri dhe në Evropë. Herët në mëngjes, autoritetet shqiptare arrestuan aktivistë të shoqërisë civile dhe filluan prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë”, thuhet në reagim.

Kryetari i partisë opozitare Partia Demokratike, Lulzim Basha, dhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi kanë kundërshtuar ndërhyrjen për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa kryeministri Rama theksoi se askush nuk do të ndalojë zhvillimin e Tiranës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar një video në rrjetin social Facebook ku ka thënë se personat qe kundërshtojnë ndërtimin e teatrit, janë të njëjtët që kanë kundërshtuar çdo projekt rindërtimi në Tiranë.

Çështja, protesta dhe debati për shembjen dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar kanë vazhduar për 2 vitet e fundit.

Presidenti i vendit e ka dërguar para pak ditësh çështjen për herë të dytë në në Gjykatë Kushtetuese këtë çështje. Ai i kërkoi Gjykatës të shfuqizojë si antikushtetues ligjin special Fusha dhe të ndalet rrëzimi i Teatrit Kombëtar, deri sa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave nga qeveria.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë thënë se teatri i ri është pjesë e planeve për zhvillimin e qytetit. Ata kishin miratuar një ligj special në parlament, që një firmë private ta ndërtonte objektin e ri. Por, pas protestave dhe reagimeve të shumta, ky plan ishte pezulluar.

Disa ditë më parë, përmes një vendimi të qeverisë, Teatri Kombëtar kaloi si pronë e Bashkisë së Tiranës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkonte restaurimin e ndërtesës historike 80 vjeçare, pa e shembur atë.

XS
SM
MD
LG