Ndërlidhjet

Qeveria në detyrë ndan mbi 10 milionë euro për pakon emergjente fiskale


Qeveria në detyrë e Kosovës.
Qeveria në detyrë e Kosovës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale.

"Ministria e Financave dhe Transfereve, ka kërkuar nga Qeveria që të aprovojë vendimin për ndarjen e 10 milionë e 900 mijë eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e datës 30 mars 2020", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Mjetet e ndara do të merren nga kategoria e shpenzimeve dhe mallrave dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka filluar të zbatojë pakon emergjente fiskale e cila kap vlerën prej rreth 180 milionë euro.

Në përgatitje është edhe pakoja e dytë fiskale e cila do të ketë në fokus rimëkëmbjen ekonomike. Kjo pako, sipas ministrit të Financave dhe Transfereve në Kosovë Besnik Bislimi do të ketë vlerën rreth një miliard euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, ka paralajmëruar se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.

Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën, kur merren parasysh dëmet e paraqitura në nivel lokal dhe global, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, më 9 maj, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike do të jetë e vështirë, por që nevojitet strategji adekuate nga autoritetet kompetente.

“Çdo sektorë është i prekur, ne kemi një varësi të madhe nga remitencat dhe remitencat do të ndikohen. Edhe eksporti do të ndikohet, aq pak sa kemi do të ndikohet. Dhe normalisht që kjo më vonë na sjell probleme të përgjithshme në bilancin e pagesave, me një mundësi që të thellohet deficit në bilancin e pagesave”, ka thënë Rukiqi.

Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, vlerësohet se 6 milionë euro në ditë Kosova humb për shkak të pandemisë së koronavirusit.

XS
SM
MD
LG