Ndërlidhjet

Krasniqi: Kosova në rrugë të mirë për të mposhtur pandeminë


Ilustrim.

Infektologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, të vazhdojnë me respektimin e masave dhe të mos zhgënjehen për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

"Asnjë pandemi nuk përfundon në mënyrë të përnjëhershme. Situata është e menaxhueshne. Jemi në rrugë të drejtë. Mbani maskat, dezinfektoni duart rregullisht, vazhdoni të mbani distancën fizike, dhe suksesi është i garantuar", ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Të hënën në Kosovë hyn në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihapen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, do të vazhdohet me një orar të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG