Ndërlidhjet

Kurti thotë se Thaçi duhet të intervistohet nga prokuroria


Kryeministri në detyrë I Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë I Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti i këtij shteti, Hashim Thaci, do të duhej të intervistohej nga prokurori i shtetit.

Sipas tij, Thaçi do të duhej të intervistohej si dëshmitar lidhur me deklaratat e dhëna rreth pretendimeve për kërcënim, të cilat Kurti ka thënë t’i ketë marrë përmes rrjetit social, Facebook.

Kyeministri Kurti ka pretenduar se është kërcënuar nga, siç është shprehur ai, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare".

Në shkresën e kësaj Garde, të publikuar nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet organizatë kriminale, derisa thuhet se pas informatave për organizim të protestave në Prishtinë më 29 maj, njësitet e Gardës në fjalë “do të jenë gjithandej dhe ku do të paraqitet nevojë do t’i dalim në mbrojtje vendit”.

“Presidenti, meqë ka informacione të tilla, do të duhej të intervistohej nga prokurori i shtetit së paku si dëshmitar. Nëse paska informacione të tilla, ai duhet t’i ndihmojë institucionet e drejtësisë të zbardhin këtë kërcënim ndaj meje”, ka thënë Kurti pasi bëri homazhe në 21-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës.

“Këto janë deklarata të pamatura të presidentit të frustruar dhe në panik. Presidenti duhet të reflektojë unitetin e popullit. Ai po e sulmon Qeverinë në detyrë pas mocionit të detyrës”, ka shtuar mes tjerash Kurti.

Ai po ashtu ka folur edhe për situatën politike, duke thënë se pas mocionit të 25 marsit është absurde të mos ketë zgjedhje.

Ky mocion është organizuar nga partia në koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

XS
SM
MD
LG