Ndërlidhjet

Parlamenti i Kinës miraton ligjin për siguri në Hong Kong


Ilustrim.

Parlamenti i Kinës ka miratuar ligjin e ri të sigurisë për Hong Kongun, i cili parasheh se kryhet krim në rast se dëmtohet autoriteti i Pekinit në këtë territor.

Ky dokument – që tani kalon në udhëheqësinë e lartë të Kinës – ka shkaktuar shqetësime të mëdha në mesin e atyre që besojnë se ky vendim mund t’i japë fund statusit unik që ka Hong Kongu.

Ai po ashtu mund t’i mundësojnë Kinës që për herë të parë të angazhojë agjencitë e saj të sigurisë në këtë rajon.

Vendimi i autoriteteve kineze ka rezultuar me valë të re të protestave në Hong Kong.

Përleshjet kanë rinisur të mërkurën, teksa Parlamenti i Hong Kongut ka diskutuar një ligj tjetër të propozuar, sipas së cilit do të konsiderohej krim, mosrespektimi i himnit kombëtar kinez.

Qindra persona janë arrestuar një ditë më parë.

Forcat e sigurisë vazhdojnë të jenë të angazhuara edhe të enjten, teksa vazhdon debati në Këshillin Legjislativ.

Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se zhvillimet në Hong Kong nënkuptojnë se ku rajon mund të mos ketë më “autonominë e shkallës së lartë” nga Kina.

Sipas tij, kjo i bie se para ligjit amerikan Hong Kongu nuk e meriton të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e territorit kinez.

Kjo deklaratë mund të ketë ndikim të madh për statusin tregtar të Hong Kongut, dhe pritet të zemërojë edhe Pekinin.

XS
SM
MD
LG