Ndërlidhjet

Apostolova dhe Wigemark kërkojnë që gjyqësori të shqyrtojë rastet penale


Ndërtesa e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Foto nga arkivi.
Ndërtesa e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Foto nga arkivi.

Shefi i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të ndërhyjë urgjent për të parandaluar rifillimin e procedurës gjyqësore për dhjetëra dosje të profilit të lartë, shqyrtimi i të cilave ka ngecur për shkak të mugesës së seancave dëgjimore gjatë pandemisë.

Ai këto komente i bëri përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi që ka pasur, së bashku me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj.

Zyrtarët evropianë kanë kërkuar që të ruhet efikasiteti gjyqësor në çështjet penale gjatë krizës së pandemisë.

"Iu kërkua autoriteteve gjyqësore të ndërmarrin veprime për të minimizuar ndikimin e pandemisë në zgjidhjen e këtyre çështjeve", ka shkruar Apostolova në rrjetin Twitter.

Disa prej këtyre çështjeve ndërlidhen edhe me monitorimin që i bën BE-ja rasteve gjyqësore të profilit të lartë, zgjidhja e të cilave ndikon në procesin e liberalizimit të vizave.

Që nga raportimi i rasteve të para me koronavirusin e ri në muajin mars, gjykatat edhe prokuroritë në Kosovë nuk janë duke u marrë me raste tjera përveç atyre që lidhen me paraburgime ose dhunë në familje.

Kjo mënyrë e funksionimit është duke vazhduar ende, pavarësisht lehtësimit të masave për lëvizje të lirë nga autoritetet përkatëse.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë thënë se aktualisht në gjykatat e Kosovës po kryhet punë me kapacitete mbi 30 për qind dhe se aktualisht, nuk po shqiptohen vendimet gjyqësore, përveç rasteve urgjente.

Kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj, i tha Radios Evropa Lirë, më 26 maj, se janë në pritje të vendimeve të autoriteteve kompetente për lejimin e kthimit të stafit në gjykata.

Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, e që numri më i madh i tyre është në gjykatat themelore.

XS
SM
MD
LG