Ndërlidhjet

Mustafa thotë se po presin aktgjykimin e plotë të Kushtetueses për të thirrur seancën


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të shtunën përmes një postimi në Facebook se janë duke e pritur aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, për të thirrur seancën për krijimin e qeverisë së re.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa tha se është i bindur që LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit.

“Jam i lumtur që Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim të argumentuar mbi frymën dhe shkronjat e Kushtetutës tonë por edhe të zgjidhjeve komparative kushtetuese nga vendet e tjera, konfirmoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit, rrjedhimisht se veprimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe subjekteve joshumicë parlamentare ishte në harmoni me hapësirën që ofron Kushtetuta. Pra, me hapësirën demokratike të një vendi me demokraci parlamentare”, tha ai.

Mustafa theksoi se qeveria e ardhshme duhet ta arrijë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, si dhe anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE.

Komentet e kryetarit të LDK-së vijnë pas verdiktit përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 30 prill, ka dekretuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar për kryeministër të ri, pas votimit të mosbesimit për Qeverinë e Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës më 25 mars.

Më 30 prill, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Thaçi ka shkelur Kushtetutën.

XS
SM
MD
LG