Ndërlidhjet

Negociatori amerikan shprehet optimist për procesin e paqes në Afganistan


I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin tha se ai është optimist për fillimin e bisedimeve të paqes ndërmjet talibanëve dhe qeverisë afgane, duke shtuar se trupat amerikane mund të tërhiqen para afatit nga Afganistani.

Zalmay Khalilzad tha më 1 qershor se ka pasur shumë përparim, pasi qeveria afgane shpejtoi lirimin e të burgosurve, veprim ky që pritet të çojë në negociatat brenda-afgane.

"Ne jemi në një situatë të mirë," tha Khalilzad, duke shtuar se nivelet e dhunës në Afganistan kanë mbetur relativisht të ulëta, që nga armëpushimi i shpallur për festën myslimane të Fitër Bajramit, në muajin maj.

Duke folur para gazetarëve në Uashington, Khalilzad nuk caktoi një datë për fillimin e mundshëm të bisedimeve, por paralajmëroi se "duhet të bëhet akoma më shumë" për lirimin e të burgosurve.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët nënshkruan një marrëveshje në muajin shkurt, që synon të përfundojë ndërhyrjen më të gjatë ushtarake në historinë e SHBA-së.

Marrëveshja përcakton një orar të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në këmbim të angazhimeve të sigurisë nga talibanët.

Ajo gjithashtu përcakton që Kabuli duhet të lirojë 5,000 të burgosur talibanë, ndërsa militantët do të lirojnë 1.000 robër.

XS
SM
MD
LG