Ndërlidhjet

Kosova ka plan afatgjatë të përballjes me pandeminë, thotë kryeministri Hoti


Kosova gjatë pandemisë.
Kosova gjatë pandemisë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të angazhohen në mbajtjen në nivel të lartë të vetëdijes së qytetarëve për pandeminë e COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Gjatë një vizite në ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, kryeministri Hoti tha se qeveria e tij e ka një plan për përballje afatgjate me pandeminë.

"Ky plan mundëson që derisa hapim shoqërinë, bizneset, arsimin dhe institucionet në të njëjtën kohë ndërmarrim masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit", ka thënë Hoti.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se situata epidemiologjike po mbahet nën kontroll.

"Megjithëse situatën epidemiologjike e kemi nën kontroll ne do të jemi në angazhim të shtuar duke marrë parasysh që masat janë lehtësuar. Me lehtësimin e tyre kemi menduar se qytetarët tashmë janë vetëdijësuar. Qytetarët duhet ta kenë një kujdes edhe më të shtuar në rekomandimet për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19", tha Ramadani.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 1.142 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre, 871 persona janë shëruar, derisa 30 të tjerë kanë vdekur. Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.

XS
SM
MD
LG