Ndërlidhjet

Trump sanksionon punonjësit e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lëshoi një urdhër ekzekutiv, me të cilin autorizoi sanksione ekonomike dhe kufizime në udhëtime kundër punonjësve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në hetimin e ushtarëve amerikanë për krime të mundshme lufte në Afganistan.

Pas nënshkrimit të urdhrit, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni nuk do të lejojë që amerikanët të kërcënohen nga “një gjykatë kangur”.

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, i akuzoi “fuqitë e huaja si Rusia” për manipulim të gjykatës në Hagë, me qëllim të “ndjekjes së agjendës së tyre”.

Shtetet e Bashkuara janë në mesin e shteteve që nuk janë palë në Traktatin e Romës, me të cilin është themeluar Gjykata Ndërkombëtare për Krime në vitin 2002.

Qëllim i kësaj gjykate është ndjekja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit në zonat, ku autorët mund të mos përballen me drejtësinë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu “shqetësim serioz” me urdhrin e Trumpit, duke thënë se blloku është mbështetës “i palëkundur” i gjykatës në Hagë.

Drejtorja e organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch në Uashington, Andrea Prasow, tha se vendimi i Trumpit “është përbuzje e sundimit global të ligjit”.

Në nëntor të vitit 2017, prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, Fatou Bensouda, ka kërkuar nga gjykatësit që të nisin hetime mbi krimet e pretenduara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të kryera në Afganistan që nga maji i vitit 2003.

Hetimet janë refuzuar në prill të vitit 2019, por në mars të vitit të kaluar Dhoma e Apelit e Gjykatës ka konstatuar se hetimet mund të nisin.

XS
SM
MD
LG