Ndërlidhjet

Në Uashington, protestuesit rrëzojnë statujën e një gjenerali të Konfederatës


Uashington D.C, fotografi nga arkivi.
Uashington D.C, fotografi nga arkivi.

Protestuesit, që po kërkojnë drejtësi racore në Shtetet e Bashkuara, kanë rrëzuarnjë statujë të një gjenerali të Konfederatës në Uashington.

Protestuesit kanë nisur të rrëzojnë statujat, monumentet dhe simbolet që kanë lidhje me skllavërinë.

Protestuesit e rrëzuan statujën e Gjeneralit Albert Pike. Ata e tërhoqën me litarë statujën për rreth një orë, pasi e rrëzuan, shkruan mbi të “derr” dhe “Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Vlerë”.

Policia amerikane e pa të gjithë ngjarjen, por nuk intervenoi. Por, pasi protestuesit tentuan ta digjnin statujën, policia intervenoi dhe zjarri u shua.

Statuja e Gjeneralit Pike, është vendosur në kryeqytetin amerikan për më shumë se 100 vjet. Pike ka qenë një ushtarak gjatë Luftës Civile Amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi ashpër pas këtij incidenti.

“Policia në Uashington D.C nuk është duke bërë punën e saj, teksa ata panë statujën të digjej dhe të tentohej të rrëzohej. Këta njerëz do të duhej të arrestoheshin. Ky është një turp për shtetin tonë”, ka shkruar ai në Twitter.

Kjo ngjarje vjen vetëm një ditë që filluan manifestimet, përmes tubimeve, për të shënuar 155-vjetorin e dhënies fund të skllavërisë në SHBA.

Në afërsi të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, për çdo ditë mbahen protesta. Protesta të ngjashme mbahen edhe në mbarë Amerikën, që pas vrasjes së afrikano-amerikanit, George Flyod në Mineapolis muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG