Ndërlidhjet

Britania lejon rihapjen e disa bizneseve nga 4 korriku


Pamje nga Londra.

Restorantet, hotelet dhe parukeritë mund të rihapen më 4 korrik në Britani të Madhe, kur edhe do të lehtësohen masat e distancimit fizik.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se njerëzit duhet të mbajnë distancën prej 2 metrave kur kanë mundësi, mirëpo prej tani e tutje vlen masa prej “një metër plus”.

Pjesëtarë të dy familjeve do të mund të takohen në ambiente të brendshme, duke mbajtur distancën.

Kryeministri britanik ka paralajmëruar se të gjitha masat janë fleksibile, dhe mund të kthehen mbrapa.

Këshilltari për mjekësi në qeverinë britanike, Chris Whitty, ka thënë se lehtësimi i masave përfaqëson “balancim të arsyeshëm të rrezikut”.

Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, ministri i parë i Uellsit, Mark Drakeford dhe Arlene Foster nga Irlanda Veriore, kanë thënë se masa prej dy metrave distancim fizik do të vazhdojë të mbetet në fuqi në vendet e tyre.

Sallat e teatrit, kinematë, libraritë, muzetë, parqet dhe kopshtet zoologjike, janë në mesin e bizneseve që mund të rihapen.

Mirëpo palestrat e brendshme, pishinat, dhe hapësirat tjera të mbyllura sportive do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç kanë qenë prej kur ka nisur të zbatohet masa e izolimit më 23 mars.

Përgjatë një adresimi qeveritar, Johnson ka thënë se “task-forcat” janë duke shqyrtuar mundësi për të hapur edhe këto institucione.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 307,682 persona të prekur me koronavirus.

Prej tyre, 43,011 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG