Ndërlidhjet

Kurti: Besoj në pafajësinë e UÇK-së


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se beson në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që lufta e saj ka qenë e drejtë.

Në një prononcim për media, Kurti është shprehur se situata e krijuar sot “është pasojë e re e gabimeve të moçme”.

“E di që lufta çlirimtare e UÇK-se është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët e UÇK-së edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonë”.

Kurti ka thënë se Kosova është dashur që moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur dhe të paanshme që të hetojë, gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes, mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë.

Reagimi i Kurtit ka ardhur pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Pas njoftimit për ngritje të aktakuzave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka anuluar vizitën e tij në Uashington, ku ishte planifikuar të zhvillohej një takim me zyrtarët serbë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Për më shumë rreth kësaj teme klikoni këtu.

XS
SM
MD
LG