Ndërlidhjet

Veseli për aktakuzën: Dyshimet e ngritura janë të pavërteta


Deklarata e Veselit pas ngritjes së aktakuzës kundër tij
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Duke komentuar aktakuzën, që akuzon vetë Veselin dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krime lufte në Kosovë, kreu i PDK-së ka thënë ky është një veprim i pashembullt i prokurorit, pasi sipas tij, ka lëshuar deklaratën para se gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura.

“Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta”, ka thënë Veseli.

Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike.

“Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike. Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjekë për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë para gazetarëve se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë prokuror.

“Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë. Dhe do ta bëjmë sërish. Nëse na imponohet, edhe një herë do të demonstrojmë me fakte se UÇK ka zhvilluar një luftë të ndershme për liri, kundër një prej ushtrive më të fuqishme dhe më agresore në botë, të udhëhequr nga një bandë kriminale serbësh. Jam krenar që kam qenë pjesë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe e mohoj plotësisht çdo përfshirje në ndonjë akt kriminal”, ka thënë Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim.

Përmes kësaj aktakuze presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Për më shumë rreth kësaj teme klikoni këtu.

XS
SM
MD
LG