Ndërlidhjet

Zemaj paralajmëron testime masive për koronavirus


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, paralajmëroi mundësinë e fillimit të testimeve masive për koronavirusin e ri.

Ai tha se institucionet janë duke e vlerësuar situatën me pandeminë dhe se janë duke punuar në një strategji anti-COVID-19.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizitë në komunën e Prishtinës.

"Jemi duke e vlerësuar situatën që të kalojmë edhe në testime masive. Ne kemi formuar edhe grup ekspertesh brenda ministrisë i cili do të adresohet shumë shpejt me rekomandime të qarta edhe për testimet dhe për strategjinë e re anti-covid 19', tha Zemaj.

Ministri Zemaj nuk dha ma shumë detaje mbi numrin e testeve që do të mund të sigurohen për të realizuar testimin në masë, dhe çka saktësisht do të nënkuptonte një testim i tillë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë aktualisht ka në dispozicion rreth 10 mijë teste për sëmundjen, Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, më 15 qershor, Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai kishte paralajmëruar arritjen edhe të 10 mijë testeve të tjera, ku rreth 6,500 prej tyre janë donacion nga Katari, derisa pjesa tjetër e testeve do të sigurohet nga kontraktorët e mëparshëm, e që kryesisht janë dërgesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Anglia.

Pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmetin, Zemaj deklaroi se “mund të ketë një valë të dytë të virusit COVID-19, në vjeshtë”.

“Eventualisht mund të ketë edhe një valë të dytë në shtator ose tetor, por ne duhet të jemi të gjithë të përgatitur, të gjitha institucionet tona dhe ky është qëllimi i ministrisë së Shëndetësisë", tha Zemaj.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 2,363 të infektuar me koronavirus, prej raportimit të rasteve të para më 13 mars. Prej tyre, 1,171 janë shëruar ndërsa 40 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG