Ndërlidhjet

Edhe 15 raste të reja me koronavirus në mjediset serbe


Mitrovicë
Mitrovicë

Pas gati një muaji pa të infektuar të rinj me koronavirus në mjediset serbe në Kosovë, javën e kaluar u konfirmuan dy raste, ndërsa ky numër u rrit të hënën për 15.

Këto të dhëna të Institutit të Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut u bënë publike në një konferencë për media, të mbajtur nga shtabet e krizave të komunave nga veriu i Kosovës.

Nga të infektuarit e rinj, 12 persona janë nga veriu i Kosovës dhe nga një në Graçanicë, rajonin e Pejës dhe Prizrenit.

“Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë e deri më sot është 134”, tha Aleksandar Antonijeviq, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se bëhet fjalë për rezultatet e testeve më 18, 22 dhe 25 qershor.

Nga data e fundit priten rezultatet edhe të 16 mostrave, ndërsa sot janë testuar edhe 30 persona të tjerë.

“Kaq teste kemi pasur. Meqenëse situata po komplikohet, do të përpiqemi që të bëjmë testime të hënave, të mërkurave dhe të premteve. Në periudhën paraprake e kemi zvogëluar testimin në dy herë në javë, por tani do të ndryshojmë dinamikën. Do të veprojmë ashtu siç na e dikton situata”, tha Antonijeviq.

Për shkak të rritjes së numrit të pacientëve me koronavirus, shtabet e krizave të komunave nga veriu i Kosovës thanë se kanë ndërmarrë edhe masa të reja.

Ato, mes tjerash, përfshijnë anulimin e të gjitha aktiviteteve me numër të madh njerëzish, si brenda, ashtu edhe jashtë, ndërsa puna e ambienteve të hotelierisë kufizohet deri në orën 23:00.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus; prej tyre, 1,425 janë shëruar dhe 49 kanë vdekur.

Rastet me koronavirus në mjediset serbe nuk raportohen gjithmonë te Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG