Ndërlidhjet

Shkup: Dënohet sulmi i familjares së viktimës nga koronavirusi ndaj punëtores shëndetësore


Ilustrim

Mbrëmjen e së martës, familjarët e një pacienteje në Maqedoninë e Veriut e cila humbi betejën pas qëndrimit prej një jave në spital si pasojë e koronavirusit, kanë sulmuar mjeken e spitalit 8 shtatori në Shkup ku mjekohen një pjesë e të infektuarve me koronavirus.

Punëtorët shëndetësorë në Maqedoninë e Veriut, thonë se sulmi i mjekes nga ana e familjares së viktimës nga koronavirusi, tregon qartë se presioni ndaj punonjësve në shëndetësi është në kulm dhe se organet e sigurisë duhet të veprojnë për të garantuar sigurinë e mjekëve.

Nga dikasteri i policisë kanë njoftuar se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë organet e rendit dhe se tashmë disa persona janë ndaluar, pasi njëri prej tyre ka rezultuar të jetë pozitiv me virusin Covid-19 dhe se në përputhje me protokollet speciale është dërguar në izolim nën masa të rrepta sigurie.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili menjëherë ka dënuar sulmin ndaj mjekes, ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur në momentin që familjarët e së ndjerës nga koronavirusi kanë tentuar që me dhunë të tërheqin kufomën, pa i respektuar protokollet e të vdekurve nga Covid-19.

“Rreth rastit të djeshëm, informacionet e mija janë se mosmarrëveshja ka qenë në lidhje me respektimin e protokolleve për veprim ndaj personit të ndjerë. Familja ka dashur ta merr nga spitali pacientin që kishte ndërruar jetë, por që ka protokoll për veprim. Shumë shpesh flasim për dhënie të informatave për pacientët, Spitali “8 shtatori” është një prej institucioneve shëndetësore më të ngarkuara në vendin tonë, aty mjekët dhe infermierët tashmë për 4 muaj punojnë intensivisht”, ka theksuar për mediat, Filipçe.

Mjeku mikrobiolog Nikolla Panovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se menjëherë duhet të krijohen kushte për sigurinë e stafit mjekësorë duke vendosur para klinikave forca policore.

Panovski thotë se presioni psikologjik që u bëhet mjekëve përmes plasimit të një varg të pavërtetave në rrjetet sociale, por edhe kërcënimet e drejtëpërdrejta edhe më shumë rëndojnë punën e mjekëve në kohën kur ka rritje të numrit të të infektuarve dhe kapacitetet shëndetësore janë të kufizuara.

“Duhet të ndërpritet sa më parë përhapja e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht ndaj personelit mjekësorë të cilët ndodhen në një gjendje të rëndë. Jemi dëshmitarë se përhapet gjuha e urrejtjes ndaj stafit mjeksorë në rrjetet sociale, kjo duhet ndaluar sa më parë".

"Një herë e përgjithmonë duhet tu jepet fund teorive të konspiracionit se viktimat kanë humbur jetën nga kjo ose ajo sëmundje dhe jo nga koronavirusi, përkatësisht duhet tu jepet fund të pavërtetave se familjarët e viktimave nga koronavirusi kanë marrë para që të thonë se të afërmit e tyre janë viktimë e koronavirusit”, thekson Nikolla Panovski, mjek.

Ndërkaq, ish-kryetari, i Odës së Mjekëve, Vlladimir Borozanov, thotë se sjellja agresive e qytetarëve buron nga përplasjet që kanë partitë politike rreth pandemisë së koronavirusit vecanërisht për sa i përket menaxhimit të situatës së krizës nga ana e institucioneve.

Borozanov thotë se politika duhet të ndërprejë me taktikën e armiqësimit të pacientëve me stafin mjeksorë.

“Politika ka për detyrë që të krijojë një atmosferë më të mirë ndaj punonjësve në shëndetësi , të stimulojë bashkëpunim mes pacientëve dhe ekipit mjekësorë që të mund të mund të fitohet beteja me koronavirusin”.

Mjekët aspak nuk e kanë të lehtë të shohin se si humbin betejën me koronavirusin pacientët e tyre për të cilët janë përpjekur tu ndihmojnë dhe, shpëtojnë jetën ditë e natë”.

Mbase ata janë të lodhur dhe tani nevojitet mirëkuptim për ta më shumë se kurrë”, thotë Borozanov.

Ndryshe, gjatë muajit të fundit, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të të infektuarve nga koronavirusi, duke dyfishuar numrin e të infekuarve.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 nga fillimi i pandemisë ka arritur në 6 mijë e 334, prej të cilëve janë shëruar 2 mijë e 475, ndërkohë që betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 302 pacientë. Për momentin janë 3 mijë e 557 raste aktive.

XS
SM
MD
LG