Ndërlidhjet

Dhjetë të vdekur nga koronavirusi në Novi Pazar


Pamje nga Novi Pazari. Korrik, 2020.
Pamje nga Novi Pazari. Korrik, 2020.

Dhjetë persona kanë vdekur në Novi Pazar të Serbisë gjatë natës ndërmjet të enjtes dhe së premtes, për shkak të koronavirusit.

Kështu tha për TV Prva, Mirsad Gjerllek, koordinator në spitalin e Novi Pazarit.

Ai tha se viktimat janë mbi moshën 75-vjeçare, por theksoi se situata me koronavirus në këtë qytet të Serbisë është duke u stabilizuar. Që nga 1 korriku, në Novi Pazar kanë vdekur 39 pacientë me COVID-19.

Sipas Gjerllekut, mbi 80 persona janë shëruar nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Ai tha se 290 pacientë janë të shtrirë aktualisht në spital.

Ky numër i hospitalizimeve është më i vogël, krahasur me një ditë më parë, kur ishin të shtrirë 370 pacientë.

Novi Pazari është ndër qytetet më të prekura nga koronavirusi në Serbi.

Gjerllek, që ka marrë udhëheqjen e spitalit të qytetit më 1 korrik, ka deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se Novi Pazari - që ndodhet 260 kilometra larg Beogradit - tani po e paguan çmimin e papërgjegjësisë dhe mosrespektimit të masave mbrojtëse nga qytetarët.

Mirsad Gjerllek
Mirsad Gjerllek

"Ne duhet t'iu përmbahemi rekomandimeve epidemiologjike dhe së pari të mbrojmë të dashurit tanë dhe njerëzit përreth nesh, sepse koronavirusi tregoi se në 24 orë mund të humbasim dikë me të cilin kemi pirë kafe deri dje dhe që ishte plotësisht i shëndetshëm”, tha Gjerllek, duke iu bërë thirrje qytetarëve që t'i respektojnë masat, pasi, sipas tij, kriza me koronavirusin nuk do të kalojë brenda disa javësh.

Spitali i Përgjithshëm në Novi Pazar është shndërruar në një institucion rajonal shëndetësor për pacientët me COVID-19 edhe nga qytetet përreth.

Gjendja e jashtëzakonshme në Novi Pazar është shpallur më 29 qershor.

Sipas të dhënave të Shtabit të Krizave të Republikës së Serbisë, Novi Pazari dhe Tutini ishin deri në fund të qershorit, pas Beogradit, në mesin e komunave me rritjen më të madhe të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Pas ankesave nga qytetarët dhe raporteve nga mediat për situatën e vështirë në spitalin e Novi Pazarit, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Lonçar, e kanë vizituar këtë institucion shëndetësor më 30 qershor.

Me atë rast, një pjesë e mjekëve dhe stafit mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm në Novi Pazar ua kanë kthyer shpinën në shenjë proteste, ndërsa qytetarët e mbledhur u kanë fishkëllyer.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar 17,342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 352 kanë vdekur.

Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri më sot, Serbia ka kryer 471,700 teste për koronavirus.

XS
SM
MD
LG