Ndërlidhjet

Qeveria me masa të reja, mbi 500 euro gjoba për mosrespektim


Prishtinë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Sipas këtij vendimi të qeverisë, është pezulluar veprimtaria në kopshte publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive. Po ashtu është pezulluar puna në tregjet publike, të automjeteve dhe tregjet e kafshëve.

Me masat e reja pezullohen ceremonitë fetare si dhe ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

Ndërkaq, të gjithë operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare janë të obliguar që të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal.

Në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Kosovës, të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës.

Nga ky vendim i qeverisë përjashtohen të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari", por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës.

Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR.

Transportuesit që vijnë nga këto vende në Kosovë, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar.

Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve.

Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar si edhe familjarët e tyre.

Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë.

Për qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike sipas vendimit të qeverisë mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orë 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizikë jashtë shtëpive apo banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Video: Policia detyron qytetarët t'i vendosin maskat

Policia detyron qytetarët t’i vendosin maskat
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të koronavirusit, të gjithë banorët e Kosovës obligohen që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive apo banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metra në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Personat që nuk zbatojnë distancën fizike dhe vendosjen e maskave gjobiten me 500 euro

Për mbikëqyrjen e masave të qeverisë është i autorizuar Inspektorati sanitar, që funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës.

Inspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se të hënën ka filluar zbatimi i vendimit të kryeministrit për respektim të maskave dhe distancës.

“Në nivel të Kosovës që nga ora 09:00 i tërë Inspektorati janë në terren për zbatimin e vendimit të kryeministrit për respektimin e maskave dhe distancës sociale në qytetet".

"Personat të cilat hasen që nuk janë duke zbatuar masat do të vendoset masa e gjobës në vlerë prej 500 euro bazuar në Ligjin për sëmundje ngjitëse dhe ligjin për kundërvajtje, ndërsa për persona juridikë që nuk e zbatojnë ligjin gjegjësisht vendimin e kryeministrit do të shqiptohet masa e gjobës deri në 1,000 euro”, tha Tërshnjaku.

Në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme mund të dënohen nga 1,000 deri në 8,000 euro.

Tëshnjaku thotë se sa i përket respektimit të masave për mbyllje të aktiviteteve ekonomikëe dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve pas orës 21:00 subjektet juridike pothuajse se po zbatojnë në tërësi.

“Mbrëmë në nivel të Kosovës kemi mundur të gjejmë vetëm një subjekt ekonomik që ka shkelë ligjin dhe gjashtë persona fizikë që kanë lëvizur jashtë orarit të caktuar”, tha Tërshnjaku.

Policia e Kosovës të hënën është parë në kryeqytet duke ndaluar qytetarë të cilat nuk kanë respektuar masën për mbajtjen e maskave dhe distancën fizike.

Policia e Kosovës me plan të ri operacional

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, gjatë një takimi që ka zhvilluar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj është vendosur që Policia e Kosovës përsëri të kalojë në orarin 12 orësh, për të pasur në kontroll të plotë situatën.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj të hënën ka zhvilluar një takim edhe me të gjithë drejtorët e divizioneve dhe të drejtorive rajonale policore, për të diskutuar rreth masave dhe angazhimeve policore ndaj pandemisë.

Nga menaxhmenti policor është kërkuar që të zbatohet në tërësi plani i ri operacional i Policisë së Kosovës.

“Plani operacional, parasheh marrjen e të gjitha veprimeve policore me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe shëndetit publik, pjesë e planit policor do të jetë edhe kalimi i punës nga orari 08 orësh në orarin 12 orësh, në mënyrë që të ketë prezencë më të madhe policore, të ketë personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante si dhe të merren masa sipas procedurave dhe vendimeve në fuqi, ndaj atyre që nuk respektojnë masat dhe vendimet e institucioneve shtetërore të parapara ndaj COVID-19”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Situata epidemiologjike

Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të shtunën i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata me COVID-19 është e rënduar jashtëzakonisht shumë sidomos në dy – tre javët e fundit.

“Është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Gjatë mbrëmjes së kaluar në nivel të Kosovës ishin mbi 280 pacientë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet regjionale. Situata po shkon duke u rënduar, por ne ende po arrijmë të menaxhojmë në aspektin klinik pacientët që po shtrihen në spital”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka kërkuar nga që qytetarët ta kuptojnë seriozisht situatën në të cilën është vendi me koronavirus.

“Shëndeti publik i qytetarëve të Kosovës është duke u rrezikuar, shëndeti individual i secilit qytetar është i kërcënuar seriozisht dhe secili duhet të kemi përgjegjësi për sjelljet dhe veprimet tona”, u shpreh Krasniqi.

Vetëm gjatë katër ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 831 raste me COVID-19.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve deri më 12 korrik është 4.931 raste nga 28.216 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese

Me shtimin e numrit të rasteve me COVID-19 është rritur edhe numri i të hospitalizuarve në spitalet publike në Kosovë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të dielën se në spitalet publike në Kosovë janë të shtrirë 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.

Prej tyre 190 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe 111 në spitalet e përgjithshme rajonale.

Nga ta, 123 me oksigjenoterapi në QKUK dhe 49 në spitalet e përgjithshme.

XS
SM
MD
LG