Ndërlidhjet

Numri i madh i të infektuarve nxit rritjen e kapaciteteve spitalore


Qendra Klinike Universitare te Kosovës

Për shkak të shtimit të numrit të personave të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen COVID -19, dhe rritjes së numrit të rasteve që kanë përfunduar me vdekje, institucionet e shëndetësisë në Kosovë janë duke i shqyrtuar të gjitha kapacitetet e mundshme të kujdesit intensiv. Për të lehtësuar përballjen me fluksin eventual të pacientëve të mundshëm me koronavirus, tashmë është paraparë edhe mundësia e shfrytëzimit të kapaciteteve të Spitalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zyrtarët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thonë se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), është duke bërë riorganizimin e përgjithshëm të kapaciteteve të saj.

Riorganizimi i kapaciteteve të kujdesit për pacientët me koronavirus

Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kuadër të Klinikës Infektive, aktualisht janë 6 shtretër në repartin e Kujdesit Intensiv, ndërkaq në kujdesin intensiv në Mjekësinë Sportive, janë 22 shtretër. Sipas tij, po ashtu Klinika e Pulmologjisë, është e stërmbushur me pacientë që janë të konfirmuar me Covid-19, por ka edhe prej atyre që presin konfirmimin e analizave laboratorike.

“Në Klinikën Infektive, nuk kemi mundësi të kemi më shumë se 6 shtretër, sepse kapaciteti i Intensives është vetëm për 6 shtretër. Kemi shqyrtuar mundësinë që në Mjekësinë Sportive të rritet kapaciteti edhe për 12 shtretër. Pra, nga 22 sa janë tash, të bëhen 34 shtretër. Po ashtu, kemi edhe hapësira të tjera. Klinika e Neurologjisë ka njësinë intensive që mund të shfrytëzohet në një numër të caktuar. Në të ardhmen do ta mendojmë, varësisht prej situatës, edhe zgjerimin e kapaciteteve tjera”, thotë Fazliu.

Lloji i ri i COVID-19 më infektiv, a do të ketë vaksinë këtë vit?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:06:33 0:00

Ai shton që spitalet rajonale në Kosovë, që të gjitha i kanë njësitë e tyre të kujdesit intensiv. Por, sipas tij, deri më tash, pacientët që janë në spitalet e përgjithshme, kanë qenë me patologji më të lehtë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur nevojë për trajtim intensiv, por vetëm me oksigjenoterapi. Në rastet kur pacientët kanë nevojë për intubim, atëherë, siç thotë ai, nga spitalet rajonale ata transferohen në QKUK.

Fazliu ka theksuar se tash për tash, por edhe për një afat më të gjatë, QKUK-ja ka respiratorë dhe pajisje të mjaftueshme, duke mos specifikuar numrin e tyre.

Sipas tij, aktualisht, në klinikat e QKUK-së, janë në dispozicion 212 shtretër për pacientët e infektuar me koronavirus në përgjithësi, prej të cilëve, 113 shtretër në Klinikën Infektive, 65 shtretër në klinikat e Dermatologjisë dhe Pulmologjisë dhe 22 shtretër në Mjekësinë Sportive.

Plani për zgjerim të kapaciteteve, siç thotë Fazliu, parasheh shtimin e numrit të shtretërve edhe në klinikat tjera, sikurse 37 shtretër në Neurologji, në Psikiatri 30 shtretër, 14 shtretër në Otorinolaringologji, ndërkaq dy sallat operative të Laparaskopisë mund të futen në funksion si hapësira të veçanta për trajtim të rasteve me COVID -19. Kapacitetet, sipas tij, mund të zgjerohen edhe në spitalet e përgjithshme rajonale, të cilat aktualisht i kanë 315 shtretër që janë duke u shfrytëzuar për pacientët e infektuar me koronavirus.

“Që nga e hëna, mundësia e shtimit të këtyre shtretërve është edhe për 130 të tjerë”, thekson Fazliu.

Zemaj: Shqyrtohet futja në shfrytëzim edhe e spitalit të FSK-së

Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Armend Zemaj, i pyetur nga mediet nëse do të ketë licencim të spitaleve private për trajtimin e pacientëve me koronavirus, ka deklaruar të premten, që aktualisht janë duke u shqyrtuar të gjitha mundësitë.

“Momentalisht, jemi në një organizim të të gjitha kapaciteteve, të mundësive që ofrojnë klinikat tona, jo vetëm këtu në Prishtinë, por edhe në spitalet rajonale. Dje kam kontaktuar edhe me ministrin e Mbrojtjes dhe sot profesionistët shëndetësorë do të takohen dhe të shohin edhe Spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nëse kemi nevojë që të na ofrohet për shfrytëzim, pasi që është i ri, i kompletuar dhe i pashfrytëzuar”, ka deklaruar Zemaj.

Baftiu: Asnjë pacient nuk ka vuajtur për shkak të mungesës së vendit në mjekimin intensiv

Aktualisht, kapacitetet e mjekimit intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë relativisht të mira.

Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, thotë por Radion Evropa e Lirë që deri më tash, QKUK-ja për sa u përket kapaciteteve me shtretër dhe respiratorë ka pasur një menaxhim të mirë. Por, për shkak të fluksit të madh të pacientëve me koronavirus, gjatë kësaj jave Mjekësia Sportive ka vënë në dispozicion repartin e saj intensiv me 22 shtretër. Ndërkohë, sipas tij, tashmë është duke u përgatitur edhe një hapësirë në Klinikën e Alergologjisë për të sistemuar një numër të respiratorëve.

Sipas tij, deri më sot, asnjë pacient i infektuar me koronavirus nuk ka vuajtur për shkak të mospasjes së vendit në mjekimin intensiv.

“Kemi pasur kapacitete të shtuara. Ne, si Komitet (për COVID-19 i QKUK-së) kemi punuar shumë që ta organizojmë punën me shtretër në mjekimin intensiv dhe kemi pasur hapësirë dhe shtretër të mjaftueshëm për pacientët e sëmurë rëndë. Asnjë pacient nuk ka vdekur pse nuk ka pasur vend në mjekim intensiv”, thekson Baftiu.

Megjithatë, ai thotë se aktualisht në Kosovë ka shumë persona të infektuar me koronavirus dhe sipas tij, numri i të infektuarve është më i madh se sa që përshkruhet nga rezultatet që kanë dalë nga testimet. Siç thotë ai, ditëve të fundit, sipas rezultateve të publikuara në baza ditore nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, afër 50 për qind e të testuarve, dalin pozitivë.

Personeli shëndetësor i infektuar me koronavirus, rrit sfidën

Por, pavarësisht kësaj, sipas Baftiut, në ditët e ardhshme nuk pritet fluks më i madh i pacientëve me koronavirus se sa që është fluksi aktual.

“Unë mendoj që nuk do të ketë fluks më të madh. Para tre ditësh ka qenë numri më i madh i shtretërve të mbushur në mjekimin intensiv. Pra, 23 në Mjekësinë Sportive dhe 6 në Infektivë. Ndërkaq, sot në Mjekësinë Sportive është 22, ndërkaq në Infektivë janë 3. Një problem të madh e kemi që personeli shëndetësor, anesteziologët, teknikët e anestezionit, që po punojnë, po dalin pozitivë. Tashmë, momentalisht i kemi diku 16 teknikë dhe doktorë që janë pozitiv, brenda Klinikës së Anestezionit, pra, brenda dy javësh”, thekson Baftiu.

Por, zëdhënësi i QKUK-së, Fazliu, thotë që në kuadër të riorganizimit, Klinika e Pulmologjisë, Klinika Infektive, Emergjenca dhe Mjekësia Sportive, do të përforcohen me staf shtesë të infermierëve dhe të mjekëve nga spitalet e përgjithshme apo rajonale.

“Nga Spitalet e përgjithshme tashmë i kemi marrë 4 anasteziologë dhe i kemi sjellë në QKUK. Ngjashëm pritet të ndodhë edhe me 3 infektologë, por edhe me pulmologë, për aq sa kanë mundësi që ta ndihmojnë QKUK-në, ngase është më e ngarkuar në krahasim me 7 spitalet tjera të përgjithshme”, thekson Fazliu.

Mbi 350 persona të stafit mjekësor të infektuar me koronavirus

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, thotë se në kuadër të sistemit publik shëndetësor, që nga 12 marsi e deri më 9 korrik, janë infektuar me koronavirus 352 persona që i takojnë stafit mjekësor dhe të infermierisë.

“Prej tyre, mbi 50 janë shëruar dhe aktivë janë 257”, thotë Syla.

Ai shton se megjithatë, numri i personelit mjekësor dhe të infermierisë që janë izoluar për shkak të dyshimeve se mund të jenë të infektuar me koronavirus, është shumë i madh, por që statistikat e tilla nuk kanë arritur të precizohen.

Syla potencon se në qoftë se Qeveria e Kosovës nuk ndan mjete të mjaftueshme për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për personelin mjekësor, sasia aktuale e këtyre pajisjeve, sipas tij, është e pamjaftueshme përballë numrit të pacientëve me koronavirus që është duke u rritur, si dhe sasisë aktuale të pajisjeve mbrojtëse që janë duke u harxhuar.

Sipas raportit 24 orësh nga klinikat e QKUK-së dhe 7 spitaleve të përgjithshme në kuadër të SHSKUK-së, më 10 korrik, në të gjitha këto institucione shëndetësore janë të shtrirë 282 pacientë të konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Sipas raportit të publikuar më 9 korrik nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me koronavirus që nga 13 marsi në Kosovë është 4,307 raste nga 26,916 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Ndërsa, janë regjistruar 94 raste të vdekjes. Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2095, ndërkaq 2,118 raste janë aktive.

XS
SM
MD
LG