Ndërlidhjet

Rastet e reja të vdekjeve nga koronavirusi, pa specifika të detajuara


Që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, në mesin e muajit mars të këtij viti, institucionet shëndetësore në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë, kishin premtuar transparencë të plotë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë. Kjo pandemi, deri më 7 korrik, në bazë të raportimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka marrë 82 jetë.

Numrat e personave të infektuar, të shëruar dhe të rasteve aktive, si dhe të rasteve të vdekjes, janë publikuar çdo ditë me specifika të veçanta nga IKSHPK-ja në faqen e saj në rrjetin social Facebook, si dhe herë pas here edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Shërbimi Spitalor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (SHSQKUK).

Por, që nga fundi i muajit qershor e deri më tash, ndryshe nga praktika e mëhershme, numri i personave që vdesin nga koronavirusi në Kosovë, nga IKSHPK-ja publikohet në formë të përmbledhur, duke ia shtuar numrit paraprak, pa specifikuar inicialet e personave të vdekur, moshën, vendbanimin apo komunën dhe nëse ata kanë pasur veç e veç sëmundje përcjellëse ose jo.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të marrë një përgjigje nga zyrtarët e IKSHPK-së, se pse është ndryshuar praktika e publikimit të numrit të specifikuar të personave të vdekur nga koronavirusi në bazë ditore, si dhe specifikat tjera të pacientëve të vdekur, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.


Ndërkaq, Faik Hoti, drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se IKSHPK-ja publikon çdo ditë raportin 24 orësh me të infektuar, të shëruar, raste të vdekjeve dhe karakteristika të tjera të situatës epidemiologjike. Ndërkaq, sipas tij, Klinika Infektive publikon raportin e atyre qe po trajtohen aty.

“Sa u përket rasteve të vdekjeve ato publikohen çdo ditë. Meqë ditëve të fundit ka pasur më shumë, ato janë përfshirë të përmbledhura në raportin e IKSHPK-se. Por ka pasur raste edhe kur janë komunikuar individualisht. Kujtdo që i interesojnë karakteristikat si: inicialet e të sëmurit, vendbanimi, mosha dhe klinika ku është trajtuar, si dhe për sa kohe, bashkë me konfirmimin se a ka qenë me Covid-19 ose jo, mund t'i ofrohen këto të dhëna”, ka thënë Hoti.

Kodra: Të rikthehet praktika e raportimit të veçantë mbi vdekjet nga koronavirusi

Por, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që nuk e ka të qartë se cilat janë arsyet e mospublikimit specifik në bazë ditore të numrit të pacientëve të vdekur nga koronavirusi, si dhe specifikave tjera të tyre, gjithmonë duke respektuar edhe Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, që siguron privatësinë e tyre.

“Unë nuk e di se cilat kanë qenë arsyet se pse nuk po vazhdon më një praktikë e tillë e publikimit, për shembull, të numrin dhe vendeve nga ku kanë vdekur pacientët. Por, kërkoj nga institucionet që prapë të rikthehet ajo praktikë. Publiku ka nevojë dhe duhet ta dijë se në cilat vende ka pacientë të vdekur. Nëse është krijuar një praktikë dhe besohet që ajo praktikë ka qenë e mirë, mendoj se prapë duhet të vazhdojë një praktikë e ngjashme. Gjithashtu konsideroj që duhet të ketë raporte mujore, vazhdimisht për publikun, se ku janë pacientët e prekur, sa është numri i të prekurve dhe sa i të shëruarve, në mënyrë që publiku t’i ketë këto informata”, theksoi Kodra.

Ai ka shtuar se përgjatë gjithë kohës prej se është shpallur pandemia e koronavirusit në Kosovë, nganjëherë vlugu i madh i punës në institucione shëndetësore ka bërë që transparenca të mos jetë e mjaftueshme për publikun. Në disa raste, sipas tij, publiku ka mbetur i hutuar nga forma e raportimit lidhur me zhvillimet në përballjen e institucioneve me koronavirusin.

“Nuk jemi shumë të kënaqur me transparencën, por vazhdojmë që t’i kuptojmë institucionet se janë në një vlug të punës dhe nuk po arrijmë ende që të kuptojmë se mostransparenca është e qëllimshme apo si rezultat i pamundësisë për të qenë transparent me publikun. Por, nuk mund t’i arsyetoj jashtë mase, për shkak se ne me pandeminë po merremi tash e disa muaj dhe deri më tash është dashur që të krijohen këto kapacitete. Duhet që të vendoset një person që komunikon me publikun dhe të jetë transparent me publikun. E dimë që i gjithë fokusi i shëndetësisë është vendosur në pandeminëdhe për gjithçka që ndodhë lidhur me pandeminë, publiku duhet të ketë informata”, tha Kodra.

Sipas raportit të publikuar më 7 korrik na IKSHPK, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me koronavirus që nga 13 marsi në Kosovë është 3.886, nga 26.039 persona të dyshimtë për virusin Sars-Cov 2. Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2003, ndërkaq, 1.801 raste janë aktive.

XS
SM
MD
LG