Ndërlidhjet

FSK siguron se ka kapacitete mjekësore “për t’u përballur me çdo situatë”


Prishtinë, 14 korrik 2020.
Prishtinë, 14 korrik 2020.

Në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit, Forca e Sigurisë së Kosovës siguroi se ka kapacitete mjekësore dhe logjistike për t’u përballur me çdo situatë.

Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, i bëri këto komente në një takim që zhvilloi të martën me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj tha se ministria që drejton ai do ta përkrahë FSK-në “në fuqizimin e personelit shëndetësor dhe me pajisje medicinale, në kuadër të angazhimit të përbashkët për ballafaqim me pandeminë”.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se “në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vënë në gjendje gatishmërie ‘Batalioni i Mjekësisë’, që mund të vihet plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës”.

Javën e kaluar, Zemaj ka paralajmëruar se spitali i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të shfrytëzohet për trajtimin e pacientëve me koronavirus, nëse paraqitet nevoja.

Në javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i të prekurve me sëmundjen COVID-19 që e shkakton koronavirusi.

Shifrat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tregojnë se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 5,118 raste pozitive me koronavirus.

Deri të hënën mbrëma, nga IKSHPK-ja kanë qenë të konfirmuara 108 viktima dhe 2,370 raste të të shëruarve.

XS
SM
MD
LG