Ndërlidhjet

Hoti: Në dy javët e ardhshme presim përgjysmim të rasteve me COVID-19


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se masat e vendosura nga qeveria pritet që të japin rezultate në uljen e numrit të personave të infektuar me koronavirus.

Gjatë një debati të organizuar nga Instituti Riinvest, kryeministri Hoti ka thënë se pret që në dy javët e ardhshme të ketë ulje të ndjeshme të numrit të të infektuarve.

“Unë pres që për një javë, dy, të përgjysmohet ndoshta numri i të prekurve. Ndoshta edhe për shkak të rritjes së efektivitetit të masave”, deklaroi Hoti.

Sipas kryeministrit, qeveria është angazhuar në rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

"Kemi filluar përgatitjet që në rast se thellohet vala e dytë dhe rritet numri i të infektuarve ne jemi të përgatitur për periudhë afatgjate jo vetëm tash për të menaxhuar këtë situatë. Pra kemi nisur proceduat për të siguruar edhe 100 mijë teste serologjike. Me udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë sivjet do të shkojmë deri në 500 mijë vaksina të gripit sezonal si formë e imunizimit të qytetarëve”, tha Hoti.

Hoti thotë se si vendet e tjera evropiane edhe Kosova ka bërë porositë për vaksinën eventuale kundër COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Javët e fundit, në Kosovë u rrit numri i të infektuarve me koronavirus. Për këtë gjë, Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij muaji, riktheu disa masa izoluese, përfshirë edhe ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00 nëpër komuna ku ma më shumë raste infektimesh.

Sipas të dhënave, në Kosovë deri më 16 korrik janë regjistruar 5,472 raste me koronavirus. Prej tyre, 124 persona kanë vdekur dhe 2,640 pacientë janë shëruar.

XS
SM
MD
LG