Ndërlidhjet

Tetë mjekë anesteziologë të QKUK-së janë të infektuar me koronavirusin e ri


Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Në Kosovë, në mesin e punonjësve shëndetësorë që janë infektuar me koronavirusin e ri, bëjnë pjesë edhe 8 mjekë anesteziologë dhe 30 infermierë të Klinikës së anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nehat Baftiu, drejtor i klinikës së anesteziologjisë në QKUK , i tha Radios Evropa e Lirë se ky profil i punonjësve shëndetësorë janë në kontakt të drejtëpërdrejtë me pacientët e infektuar, andaj sipas tij, kjo është arsyeja e numrit të lartë të anesteziologëve, por edhe infermierëve të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

’’I gjithë stafi i anesteziologjisë dhe mjekimit intenziv duhet me qenë afër fytyrës së pacientit, dhe normalisht që janë infektuar në vendin e punës. Puna me intervenimet jo urgjente është ndalur dhe jemi orientuar tek pacientët me COVID-19, në katër klinika: në infektive, mjekësinë sportive , mjekimin intensiv qendror dhe të tjera, ku po trajtohen pacientët me COVID-19’’, tha Baftiu.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.

Më 1 korrik, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “infektimi i një numri të lartë të personelit shëndetësor, mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”.

Në Kosovë në mesin e të infektuarve me koronavirusin e ri janë edhe rreth 500 profesionistë shëndetësorë, 160 prej të cilëve janë mjekë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se situata aktuale është mjaft alarmante, pasi siç thotë ai, numri i stafit brenda sistemit publik shëndetësorë, është më i ulët sesa nevojat që kanë klinikat që po trajtojnë pacientët me COVID-19.

“Situata po ndryshon nga dita në ditë. Janë deri në 500 punëtorë shëndetësorë të infektuar. Ne kemi pritur që të punësohen mjekë e infermierë të rinj, në mënyrë që sistemi të mos kolapsojë. Në të kundërtën nëse situata vazhdon kështu, dhe vazhdon infektimi i punëtorëve shëndetësorë - dhe tashmë kemi edhe një rast të vdekjes së mjekut - atëherë do të kemi telashe’’, tha Syla.

Të martën, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 541 pacientë, prej të cilëve 291 janë raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa 250 ende janë të pritje të konfirmimit.

Në njoftim theksohet se në trajtim me respiratorë janë 16 raste ndërsa me oksigjenoterapi 295 pacientë.

Që nga mesi i muajit mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 6.045, prej tyre 3.226 janë shëruar.

Raste aktive me koronavirusin e ri aktualisht janë 2.675.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 144.

XS
SM
MD
LG