Ndërlidhjet

Parlamenti Evropian paralajmëron se mund të bllokojë buxhetin e BE-së


Flamuri i BE-së

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash një rezolutë që kërkon ndryshime në projekt-buxhetin afatgjatë të BE-së, për të cilin janë pajtuar 27 vendet anëtare.

Ligjvënësit evropianë përmes kësaj rezolute, kanë paralajmëruar se mund të mos e miratojnë buxhetin, duke bërë thirrje për negociata shtesë në mënyrë që ai të "përmirësohet".

Mocioni kaloi me 465 vota për, dhe 150 kundër.

Më 21 korrik udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord për një paketë të ndihmës ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar vendet në periudhën e pas pandemisë së koronavirusit.

Marrëveshja u arrit në ditën e katërt të bisedimeve në Bruksel, të cilat u përcollën me mospajtime rreth shpërndarjes së fondeve.

Por, Komisioni Evropian dhe shumë eurodeputetë u shqetësuan që shumë prej përparësive të tyre në buxhetin shumëvjeçar u shkurtuan dhe disa plane të shpenzimeve u zhvendosën.

"Ne mendojmë se ky buxhet nuk jep përgjigje të duhura për sfidat e shtatë viteve të ardhshme", tha Manfred Weber, drejtuesi i bllokut parlamentar të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian.

Më parë, Charles Michel - presidenti i Këshillit Evropian, i cili ndihmoi në sigurimin e marrëveshjes së kompromisit - u kishte kërkuar eurodeputetëve që ta mbështesin atë.

XS
SM
MD
LG