Ndërlidhjet

KSHZ certifikon rezultatet në Maqedoninë e Veriut


Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Në bazë të rezultateve që i kumtoi kryetari i KSHZsë, Oliver Derkovski, LSDM ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-44, BDI-15, Koalicioni Aleanca me Alternativën-12, E Majta-2 dhe PDSH-1 ulëse.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë.

Gjatë këtij mandati katërvjeçar, shqiptarët do të përfaqësohen me gjithsej 32 deputetë shqiptarë nëpër parti dhe koalicione të ndryshme.

Shpallja e rezultateve nga KSHZ i hap rrugën konstituimit të përbërjes së re parlamentare, në të cilën do të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit. Në bazë të kushtetutës, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski mandatin për formimin e qeverisë së re do t’ia jep liderit të partisë apo subjektit politik që siguron shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.

Në garë për marrjen e mandatit janë LSDM-ja si parti e parë, por edhe VMRO-ja e cila ka dy ulëse më pak në Kuvend, por që ka thënë se tani më ka nisur konsultimet me partitë tjera për sigurimin e numrave në Kuvend.

Nga VMRO-ja nuk ka dhënë detaje duke theksuar se kryetari i partisë, Hristijan Mickovski është i autorizuar nga organet partiake për udhëheqjen e negociatave.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka bërë të ditur se bisedimet për qeverinë e re do t'i nis pas festës kombëtare të 2 gushtit.

Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhje mori pjesë me moton “koha për kryeministrin e parë shqiptar”, por zyrtar të saj tani pas zgjedhjeve kanë theksuar se prioritet për këtë parti në negociatat për formimin e qeverisë së re do të jenë zbatimi i tri marrëveshjeve, asaj me Greqinë për emrin, me Bullgarinë për fqinjësi të mira dhe Marrëveshja e Ohrit.

XS
SM
MD
LG