Ndërlidhjet

Qeveria ndan nga 300 euro për personelin mjekësor


Klinika Infektive.
Klinika Infektive.

Personali mjekësor që po trajton pacientët me COVID-19, në muajin gusht, përveç pagës mujore do të marrin si kompensim edhe 300 euro të tjera.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë se Kosovës, ku u tha se ndarja e këtyre mjeteve po bëhet për “mbështetjen e personelit që është në vijën e parë të fronit kundër pandemisë”.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se “ky vendim parasheh kompensimin për dy muaj, korrik dhe gusht, për mjekët dhe infermierët që kanë qenë dhe janë aktivë gjatë kësaj periudhe dhe i përmbushin kushtet”.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

Punëtorët shëndetësorë në Kosovë në vazhdimësi kanë kërkuar rritjen e pagave. Kjo ishte paraparë të bëhej përmes Ligjit të pagave, por i njëjti, më 30 qershor, u shpall jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Ditëve të fundit, Kosova ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus, më shumë se 200 brenda ditës.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej 13 marsit, deri më 28 korrik, janë regjistruar 7,652 raste pozitive me koronavirus. Prej tyre, 192 pacientë kanë vdekur dhe4,129 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG