Ndërlidhjet

Hoti dhe Vuçiq konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin në Uashington


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera.

Hoti: Në SHBA me Serbinë do të takohemi si dy shtete të pavarura

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti konfirmoi se më 2 shtator do të marrë pjesë në takimin e thirrur në Uashington.

Ai tha se në këtë takim, me palën serbe do të takohen si “dy shtete të pavarura.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Thaçi mirëpret takimin e 2 shtatorit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se mirëpret takimin e 2 shtatorit në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka deklaruar Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Vuçiq: Ne do të marrim pjesë në bisedime

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e 2 shtatorit në Uashington.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

"Serbia nuk është në një pozitë dhe nuk do të ishte mirë t’i refuzojë bisedimet. Ne do të marrim pjesë në bisedime dhe temat, me sa kam biseduar me Grenell, janë ekonomike. Këto janë tema të mira", tha Vuçiq në një intervistë për televizonin Pink të Serbisë.

Presidenti Vuçiq po ashtu tha se nuk e di se pse Grenell në lajmërimin e tij ka përdorur fjalën “negociata” dhe jo “bisedime", dhe se kjo është një pyetje për të (për Grenellin). Ai shtoi se pozicioni i Serbisë është që të bisedohet me palën tjetër, edhe pse SHBA-ja, administrata e Brukselit zyrtar dhe një numër i madh i shteteve të BE-së, e shohin Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të pavarura.

Më herët, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhërinë e Kosovës, që është partner në koalicionin qeverisës, duke përshëndetur arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së, tha se Kosovës i duhet roli i Amerikës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Kosovës i duhet roli udhëheqës i Amerikës për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku tha se ftesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ardhur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe Këshilltari i presidentit amerikan për Siguri Kombëtare, Robert o’Brien.

“Faleminderit që siguroheni që shtetet e lira dhe demokratike gjithmonë mund të llogarisin në ndihmën e SHBA-së”, ka shkruar ajo.

Ambasada amerikane në Beograd: Takimi në Shtëpinë e Bardhë, lajm i mirë

Ambasada amerikane në Serbi, e quajti “lajm të mirë” paralajmërimin për takim në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë.

"Takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do të shtynte përpara dialogut e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”, tha ambasada përmes një njoftimi në Twitter.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë ishte paralajmëruar edhe për 27 qershor, por i cili nuk u mbajt pasi Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Më herët, para takimit të 27 qershorit, nga Presidenca e Kosovës kishin konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në atë takim ishte paraparë që të bisedohej për zgjidhjen e çështjeve ekonomike, heqjen e barrierave tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

Pavarësisht anulimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën dialogun.

Më 16 korrik në Bruksel u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim u tha se palët biseduan për çështjen e të pagjeturve, zhvendosurve dhe për çështje ekonomike.

Hoti ka insistuar se në dialog Kosova shkon vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Krahas dialogut në nivelin politik, në Bruksel kanë nisur edhe takimet në nivel ekspertësh mes dy palëve. Në këto bisedime, Kosova përfaqësohet me Koordinatorin shtetëror për dialog, Skender Hyseni ndërsa pala serbe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Kosova insiston se ky nuk është dialog në nivel teknik, por se aty, delegacionet do të punojnë në draftimin e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018 për shkak të vendosjes së një takse nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve serbe.

Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet, por Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin, duke thënë se me heqjen e kësaj mase, po i jepet shans rikthimit të dialogut.

XS
SM
MD
LG