Ndërlidhjet

Çollaku: Në Shtëpinë e Bardhë, për ekonomi dhe çështje tjera që mund të ngriten


Shtëpia e Bardhë, Uashington

Zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale, do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të paralajmëruar për 27 qershor, konfirmojnë zyrtarët e Zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë së delegacioni i Kosovës, tashmë është përgatitur për këtë takim.

"Delegacioni i Republikës së Kosovës vjen i përgatitur që të diskutojë për këto çështje, por edhe për çështjet tjera që mund të ngriten në takim“, ka thënë Çollaku.

Delegacionin e Kosovës e përbëjnë presidenti Thaçi dhe kryeministri i sapozgjedhur i vendit, Avdullah Hoti. Pala serbe ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se kush do të jetë në delegacionin e saj.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet nën organizimin e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, pas marrjes së garancive se të dyja palët janë pajtuar që të ndalohen fushata për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe të ndalohet me kërkesat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell gjithashtu ka thënë që takimi në Shtëpinë e Bardhë është rast që t’i hapen dyert zhvillimit ekonomik dhe investimeve dhe se shpreson që krerët e Kosovës dhe të Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë rast për kthim në dialog.

Çollaku thekson që ky takim është një mundësi e jashtëzakonshme që palët t’u rikthehen negociatave për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve. Ai ka shtuar se në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është rifillimi i dialogut me ndërmjetësimin e të ngarkuarit special të presidentit amerikan, Donald Trump, ambasadorit Grenell.

“Pra, lajmi thelbësor pozitiv ështe se dialogu po rifillon në Uashington pas një pauze pothuaj dy-vjeçare. Prandaj, ky takim konsiderohet sukses në vete pavarësisht rezultatit konkret”, ka thënë Çollaku.

Vet Grenell, më 15 qershor, përmes një shkrimi në Twitter, ka porositur që në qoftë se ndonjëra palë do të jetë e pakënqur me bisedimet e 27 qershorit, ‘mund të kthehet në status quo, pas largimit nga Uashingtoni”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dielën, ka deklaruar që lidhur me çështjen e Kosovës pret „ditë dhe javë të vështira“.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi që Kosova kishte vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, si përgjigje ndaj fushatës së shtetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës.

Taksën, të cilën e kishte vendosur qeveria e Ramush Haradinaj, e zëvendësoi me masa reciproke tregtare ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 prill.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kundër vendosjes së masave ndaj Serbisë, para së gjithash për shkak se, siç kishin theksuar, ato e frenonin dialogun ndërmjet dy palëve. Me shkuarjen e Kurtit dhe ardhjen e Hotit në krye të qeverisë, janë larguar të gjitha barrierat tregtare dhe në këtë mënyrë i është dhënë shansi Serbisë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Grenell pati paralajmëruar takimin ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, para ardhjes në Kosovë të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, i cili gjithashtu është duke punuar për ripërtrirjen e dialogut.

Pas takimit me udhëheqësit e Kosovës, Lajçak ka deklaruar që shpreson për vazhdimin e shpejtë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy palëve.

Megjithatë, ai ka porositur që rruga e integrimeve evropiane për Kosovën kalon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe se në atë rrugë nuk mund të përparojë me askënd tjetër përveç me BE-në.

Lajçak gjithashtu ka pranuar që BE-ja nuk ka qenë e konsultuar lidhur me takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe që edhe përkundër faktit që SHBA-ja është partner i rëndësishëm për BE-në, Kosovës askush nuk mund t’ia ofrojë të ardhmen evropiane përveç BE-së.

Edhe Çollaku thekson që roli i Bashkimit Evropian në këtë proces është i pazëvendësueshëm, ashtu siç është roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë plotësuar njëra-tjetrën në këtë proces që nga fillimi i tij në vitin 2011. Ai ka shfaqur bindjen që kështu do të jetë edhe në fazën finale të dialogut.

“Binomi ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, ka qenë, është dhe do jetë çelësi i çdo marrëveshjeje në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në aspektin e arritjes së marrëveshjes eventuale finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Çollaku..

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar të shtunën se takimi në Uashington do të jetë për projekte ekonomike, të cilat do ta shndërrojnë Kosovën “në qendrën e aktiviteteve ekonomike në rajon”. Ai ka shtuar që kabineti i tij po i shqyrton idetë për disa projekte infrastrukturore, të cilat do të mund të prezantoheshin në Uashington.

Hoti, më 10 qershor, ka paraqitur Platformën për dialog, në bazë të së cilës nuk do të bisedohet për integritetin territorial dhe organizimin kushtetues të shtetit, si dhe që marrëveshja përfundimtare, e cila duhet t’i kontribuojë njohjes reciproke ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javën e kaluar, në një konferencë me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë që Serbia “nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës ose anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara në ndërrim të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG