Ndërlidhjet

Kosova synon njohjen nga Serbia, nuk dëshiron kompromis  


Ilustrim.

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se nuk do të pranohet asnjë kompromis në negociatat e ardhshme me Serbinë, po shihet me dilema në Prishtinë.

Njohësja e proceseve politike në Kosovë, Donika Emini, thotë se heqja dorë e Kosovës nga procesi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, është kompromisi i parë, të cilin qeveria e ka bërë qysh para shkuarjes në Uashington me 27 qershor.

“U hoq dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare në mënyrë eksplicite dhe kjo u konfirmua prej SHBA-së, si sponsori kryesor i anëtarësimit të Kosovës në iniciativa ndërkombëtare, pra ishte kompromisi i parë që bëri Kosova. Kompromisi tjetër ishte edhe heqja e reciprocitetit. Tarifa gjithmonë ka qenë e diskutueshme mirëpo nëse vazhdimisht ke heq dorë nga parimet dhe në fund pretendon që nuk ka kompromis, atëherë është shumë pak e besueshme”, thotë Emini.

Emini thotë se Kosova nuk ka dëshmuar se ka pozicion të favorshëm që të mos pranojë kompromise pasi sipas saj, qeveria “Kurti” u rrëzua në kuadër të përpjekjeve për t’i krijuar rrethanat që të shkohet në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje të shpejt dhe jotransparente.

Institucionet e Kosovës u kritikuan vazhdimisht për kompromiset që u bënë në proceset e kaluara politike.

Hulumtuesi i politikave në organizatën Demokraci për Zhvillim, Visar Xhambazi, vlerëson se çdo marrëveshje që është arritur në të kaluarën si rezultat i bisedimeve me Serbinë, ka fshehur pas vetes një kompromis.

Njëjtë beson se do të ndodhë edhe me procesin e negociatave që rifillon me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

“Kemi qenë dëshmitarë që shumë marrëveshje kanë qenë kompromise të arritura gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se deklarata e zotëri (Avdullah) Hotit ka qenë më shumë një përgatitje e pulsit publik që do të ketë një pozicion më të fortë karshi dialogut kundër Serbisë. Në momentin kur pala kosovare hyn në dialog, mundësitë për kompromis rriten”, thotë Xhambazi.

Hoti: Në platformën tonë është njohja reciproke

Por kundër çdolloj kompromisi u deklarua të mërkurën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një debat me anëtarë të shoqërisë civile.

Kryeministri tha se beson se çështja e dialogut është duke shkuar në drejtim të asaj që ndërkombëtarët do të kërkojnë nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ka kompromis. Nuk dëshiroj të tingëlloj ashpër, sinqerisht besoj se në këtë marrëveshje nuk ka kompromis. Kompromisi ynë ka qenë në vitin 2008. Kushtetuta e Kosovës komplet është kompromis”, deklaroi Hoti.

Njëjtë si kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se ende nuk ka agjendë të përcaktuar për takimin e 27 qershorit.

Por për një gjë u shpreh i sigurt, se nuk do të diskutohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vuçiq tha se nëse pala kosovare, përkatësisht kryeministri Avdullah Hoti e ka në platformën e bisedimeve çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, më mirë që të mos shkojnë fare në takim.

Analistët: Të mos diskutohet territori

Ndonëse ende nuk dihet agjenda e diskutimit të takimit të 27 qershorit, njohësit e proceseve politike në Kosovë thotë se në asnjë rast Kosova nuk duhet që të lejojë diskutimin e temave që tejkalojnë Kushtetutën.

Visar Xhambazi nga organizata Demokraci për Zhvillim thotë se Kosova ka bërë lëshime të shumta në proceset e kaluara negociuese, porse tani, me çdo kusht duhet të përjashtojë mundësinë e diskutimit për ndryshimin e territorit.

“Secila marrëveshje duhet që të bazohet 100 për qind në substancën e Kushtetutës së Kosovës në të cilën thuhet që integriteti territorial është i pacenueshëm”, thotë Xhambazi.

Nga ana tjetër njohësja e proceseve politike, Donika Emini, nuk beson se Kosova do të dalë nga marrëveshja finale me Serbinë pa një kompromis të mundshëm.

“A ka me qenë territor, apo ka me qenë diçka politike, të cilën mendoj se Serbia e dëshiron më shumë për shkak të vazhdimit të influencës së saj në Kosovë, sidomos përmes diçka të tillë si Asociacioni i Komunave Serbe apo ndonjë kompromis tjetër që i jep Serbisë mundësinë me qenë ende prezent politikisht në Kosovë”, thotë Emini.

Grenell bëri publike datën por jo agjendën e takimit

Pavarësisht se nuk është bërë publik formati dhe temat për të cilat do të diskutohet me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka insistuar se i intereson rritja e bashkëpunimit ekonomik.

Derisa Grenell mbante edhe postin e ambasadorit amerikan në Berlin, ai arriti që t’i bënte bashkë dy delegacione, atë të Kosovës dhe të Serbisë për të nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme.

E para për rihapjen e një linje ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe e dyta për funksionalizimin dhe modernizimin e lidhjes hekurudhore në mes të të të dyja vendeve.

BE-ja kërkon bashkim për dialogun

Një përpjekje intensive për të rinisur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë po e bën edhe Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçk, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit institucionalë dhe politikë.

Lajçak tha se ka sjell në Prishtinë datat e rifillimit të dialogut në ndërkohë që kërkoi bashkim të spektrit politik për këtë proces. Mirëpo deri me tani nuk dihet qartë se cila do të jetë përfshirja e Bashkimit Evropian në negociatat e Kosovës me Serbinë, pasi primatin e kanë marrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe Serbia nisën një proces dialogu në vitin 2011. Nisi si teknik por më vonë u shndërrua në proces politik.

Në kuadër të këtij procesi u arritën disa marrëveshje, më e rëndësishmja ajo e 19 prillit e vitit 2013 që njihet si marrëveshja e parë për "normalizim të marrëdhënieve".

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u bllokua nëntorin e vitit 2018, kohë kjo kur institucionet e Kosovës vendosën tarifë 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është kërkuar prej vitesh nga komuniteti ndërkombëtar derisa konsiderohet si hap i domosdoshëm në rrugëtimin e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.

Një marrëveshje eventuale parashihet që t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga shtetet që ende se kanë njohur pavarësinë si dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG