Ndërlidhjet

Vuçiq: Në Bruksel do të kërkojmë ndërprerje urgjente të punimeve pranë Deçanit


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Beogradi do të kërkojë "pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit" nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Në një njoftim nga zyra e Presidentit të Serbisë thuhet se me këto punime po "rrezikohet njëra nga faltoret më të mëdha serbe e krishtere".

Vuçiq gjithashtu deklaroi se ky akt është "në kundërshtim me rregullat e miratuara nga vet Prishtina".

"Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë është një prioritet i politikës sonë shtetërore, dhe ne jemi të gatshëm të formojmë një ekip të veçantë së bashku me Kishën Ortodokse Serbe për të mbrojtur shenjtorët tanë - trashëgiminë shpirtërore, kulturore dhe historike serbe dhe të krishterë. Unë pres që BE të bëjnë presion të fortë ndaj Prishtinës për të ndaluar fushatën e rrezikimit të faltoreve serbe në Kosovë dhe Metohi ”, tha Vuçiç.

Ati i manastirit të Deqanit Sava Janjiq, njoftoi në profilin e tij në Twitter se punimet në rrugë "në zonën e mbrojtur" filluan në 13 gusht.

Fillimi punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar në 2018.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Deçanit, i vendosur të mos ia kthejë pronën Manastirit

Vite më parë, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG