Ndërlidhjet

Në kërkim të zgjidhjes për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë


Manastiri i Deçanit.
Manastiri i Deçanit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj pret nga institucionet e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, ku janë ndërprerë punimet pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti, të dielën më 16 gusht, kërkoi që të pezullohen ndërtimet në këtë rrugë, e cila “në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit”.

Ramosaj shpreh besimin e tij se punimet për ndërtimin e kësaj rruge do të vazhdojnë dhe shtoi se tashmë i është drejtuar institucioneve të Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë, me një kërkesë që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Ai thotë se autoritetet lokale do t’i japin kohë Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ndërtimin e kontestuar të kësaj rruge.

Një shenjë në afërsi të Manastirit të Deçanit, që paralajmëron punimet në rrugë/
Një shenjë në afërsi të Manastirit të Deçanit, që paralajmëron punimet në rrugë/

"Është në duart e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të tjera të Kosovës për të gjetur një zgjidhje në raport me Manastirin e Deçanit, e cila do të ishte në interes të Komunës së Deçanit, në këtë rast në interes të qytetarëve të komunës”, tha ai.

Ai gjithashtu kërkoi mirëkuptim nga Manastirit të Deçanit sepse "ndërtimi i rrugës në asnjë mënyrë nuk dëmton trashëgiminë kulturore, historike dhe fetare, as nuk rrezikon imazhin vizual të manastirit".

Kryetari i Deçanit shtoi se është i gatshëm të gjejë një zgjidhje, përmes një diskutimi ndërmjet Manastirit të Deçanit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës "e cila duhet të ofrojë një zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme që do të zgjidhë këtë problem përgjithmonë".

Nga Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjen Radios Evropa e Lirë se cila mund të jetë zgjidhja për çështjen e ndërtimit të kësaj rruge.

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë është i ndaluar me ligjet e Kosovës dhe rikujton se zgjidhja e këtij problemi është gjetur më 2014, kur kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi – aktualisht president i Kosovës – vendosi që ta devijojë këtë rrugë, në mënyrë që të mos kalonte përmes zonës së mbrojtur.

"Ky projekt (nga koha kur Thaçi ishte kryeministër) është plotësisht në përputhje me ligjin e Kosovës. Por, ky ndërtim i rrugës përmes zonës së mbrojtur është në kundërshtim me Ligjin për zonat e mbrojtura, i cili ndalon ndërtimin e rrugëve të këtij karakteri", tha Janjiq.

Ai shtoi se nuk është kundër ndërtimit të rrugës Deçan –Plavë, por është ekskluzivisht kundër ndërtimit të rrugës që kalon përmes zonës së mbrojtur dhe që sipas tij dëmton Manastirin e Deçanit.

“Kjo do të shkaktonte dëme në Manastir, përmes dridhjeve (gjatë punimeve), zhurmës, ndotjes dhe për këtë arsye, ligji ndalon ndërtimin e rrugëve të tilla”, thotë Janjiq.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluar aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Ndryshe, nga Zyra e kryeministrit kanë thënë se Hoti mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren, për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi.

Reagimi i kryeministrit Hoti më 16 gusht, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë "pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit" nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë (R-108), rrugë kjo që e lidh rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar më 2018.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG