Ndërlidhjet

Sllovenia e vendos masën e vetizolimit për udhëtarët nga Kroacia


Kufiri midis Sllovenisë dhe Kroacisë.

Sllovenia vendosi që udhëtarët nga Kroacia, të cilët hyjnë në territorin e saj, të vetizolohen për 14 ditë, raporton Reuters.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm slloven, Ales Hojs.

Megjithatë, sllovenët që gjenden tashmë në Kroaci, do të jenë në gjendje të shmangin masën e vetizolimit nëse kthehen në Slloveni, para të hënës, shtoi Hojs.

Kroacia i shpëtoi valës së parë të pandemisë për shkak të masave të shpejta të izolimit dhe mungesës së turistëve në fund të dimrit. Vendi filloi të promovojë veten si një destinacion i sigurt për turistët.

Por, ditën e enjte regjistroi 255 raste të të infektuarve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 7.329.

Sllovenia ka regjistruar 2,356 raste, dhjetëra prej të cilave janë persona që janë kthyer nga udhëtimet në Kroaci, gjatë dy javëve të fundit.

Sipas zyrtarëve kroat, më shumë se 140,000 sllovenë e kanë vizituar vendin këtë muaj.

Të enjten, edhe Britania e Madhe gjithashtu shtoi Kroacinë në listën e saj të vendeve jo të sigurta, ndërsa Gjermania këshilloi qytetarët që të mos udhëtonin në disa rajone të Kroacisë.

Instituti gjerman për sëmundjet infektive ka thënë se Kroacia është në vendin e tretë si burim i importimit të rasteve me COVID-19, pas Kosovës dhe Turqisë.

XS
SM
MD
LG