Ndërlidhjet

Intensifikohen përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në Kosovë


Takimi i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës me kryetarët e komunave.
Takimi i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës me kryetarët e komunave.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës kanë diskutuar të hënën me kryetarët e komunave për bashkërendimin e aktiviteteve dhe menaxhimin e situatës së pandemisë në komuna, me theks të veçantë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Kosovës, Ramë Likaj tha se në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Arsimit, ekziston plani që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator.

“Më 1 shtator të fillojë për parashkollorët si dhe klasën 1,2,3 pastaj edhe për klasën 6 dhe 9 në fazën e parë. Në fazën e dytë të fillojë më 7 shtator për klasën 4 dhe 5 ndërsa në fazën e tretë të fillojë më datën 10 shtator për klasët 7,8,9, 10 si dhe 11”, tha ministri Likaj.

Sipas tij, janë përgatitur tre skenarë, dhe u mbetet komunave të zbatojnë njërin nga tre skenarët e paraqitur.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës më herët ka njoftuar se tre skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie janë: Skenari A- rikthimi në ambientet shkollore të nxënësve, Skenari B - mësimin e kombinuar, rikthim i pjesshëm me mësim të kombinuar -prezencë dhe mësim në distancë dhe Skenari C - mësimi në distancë.

“Në çdo ditë do ta përcjellim këtë situatë ndërsa planet bashkë me IKSHP-në nuk mund ti bëjmë më gjatë sesa për 2 javë”, ka thënë Likaj.

Vendimi, sipas tij, është i përgatitur dhe përfundimisht brenda ditës (së hënë) ose në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të miratohet.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka përgatitur udhëzimet e përgjithshme për fillimin e vitit shkollor 2020/2021 në kushtet e kujdesit ndaj pandemisë së COVID -19.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha pas takimit me kryetarët e komunave se nuk pritet të ketë lehtësim të masave kundër pandemisë në Kosovës, sepse "përkundër se ekziston një rënie e numrit të të infektuarve, prap se prap numri i viktimave mbetet i lartë".

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesorë.

XS
SM
MD
LG