Ndërlidhjet

Rreth 3,700 suedezëve u janë dhënë rezultate të rreme për koronavirus


Stokholm, Suedi

Rreth 3,700 suedezëve u është thënë se kanë koronavirus, por më vonë ka dalë se rezultatet kanë qenë të gabuara.

Agjencia e Shëndetit Publik e Suedisë tha të martën se testet PCR kanë dhënë rezultate të rreme pozitive te rreth 3,700 vetë, në muajin mars.

“Shumica e njerëzve që kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma në kohën e testimit, kanë marrë rezultate të rreme pozitive”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Ajo tha se do t’i kontaktojë të prekurit këtë javë dhe se do ta rregullojë numrin zyrtar të rasteve me koronavirus në Suedi.

Gabimi u zbulua nga dy laboratorë gjatë kontrolleve rutinore të cilësisë së testeve, raporton BBC.

Agjencia e Shëndetit Publik tha se testet janë prodhuar nga një kompani në Kinë dhe se janë shpërndarë në gjithë botën.

Ajo po ashtu tha se ka njoftuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë në lidhje me rastin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Suedia ka konfirmuar mbi 86,000 raste me koronavirus dhe mbi 5,800 viktima.

Ndryshe nga shumica e vendeve në botë, Suedia nuk ka ndërmarrë masa izolimi në muajin mars, kur OBSH-ja e ka shpallur pandemi globale përhapjen e koronavirusit.

Kufijtë e saj kanë mbetur të hapur, ashtu si edhe shkollat dhe bizneset.

XS
SM
MD
LG