Ndërlidhjet

Sulmuesi i xhamive në Zelandën e Re dënohet me burgim të përjetshëm


Sulmuesi në dy xhami në Zelandën e Re, Brenton Tarrant.
Sulmuesi në dy xhami në Zelandën e Re, Brenton Tarrant.

Drejtësia në Zelandën e Re e dënoi me burgim të përjetshëm, pa kushte, sulmuesin e dy xhamive në këtë vend, ku mbetën të vrarë 51 vetë.

Australiani Brenton Tarrant, 29 vjeç, është personi i parë në historinë e Zelandës së Re që merr dënim të tillë.

Ai e pranoi vrasjen e 51 personave, tentim-vrasjen e 40 të tjerëve dhe akuzën për terrorizëm.

Gjykatësi i cilësoi veprimet e tij si “çnjerëzore” dhe tha se ai “nuk ka treguar mëshirë”.

Sulmi në mars të vitit të kaluar në qytetin Kristçërç, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në mediat sociale, ka tronditur botën.

Dënimi i Tarrantit, po ashtu, shënon dënimin e parë për terrorizëm në historinë e Zelandës së Re.

“Krimet tuaja janë aq të liga saqë edhe nëse jeni i burgosur përjetësisht, nevoja për ndëshkim nuk do të shterojë”, tha gjykatësi Cameron Mander të enjten në një gjykatë në Kristçërç.

Dënimi pa kushte nënkupton që shkelësit nuk do t'i jepet mundësia të dalë nga burgu pasi të vuajë vetëm një pjesë të dënimit të përgjithshëm.

Gjykatësi Mander tha se dënimet e tilla të përjetshme dhe pa kushte janë vetëm për "vrasje shumë të këqija".

Zelanda e Re nuk ka dënim me vdekje si pjesë të sistemit të saj të drejtësisë.

“Ne nuk kemi asnjë arsye të mendojmë për të, ta shohim atë ose të dëgjojmë përsëri prej tij", tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, pas shpalljes së dënimit për Tarrantin.

"Sot, shpresoj se është hera e fundit që kemi ndonjë arsye për të dëgjuar ose shqiptuar emrin e terroristit", tha Ardern.

Pas vrasjeve masive, Zelanda e Re ka miratuar ligje më të ashpra për armët.

Tarrant, i cili përmes avokatit në gjykatë tha se nuk e kundërshton kërkesën e prokurorisë për dënim të përjetshëm pa kushte, nuk reagoi ndaj dënimit. Ai më herët e ka refuzuar të drejtën për të folur në seanca.

Tarrant ka hapur zjarr në dy xhami në Kristçërç, më 15 mars të vitit të kaluar.

Ai fillimisht ka sulmuar besimtarët brenda xhamisë Al Noor. Më pak se 30 sekonda më vonë është kthyer në makinën e tij për të marrë një armë tjetër dhe ka hyrë sërish në xhami.

I gjithë incidenti është transmetuar drejtpërdrejt në Facebook përmes një kamere që sulmuesi kishte vënë në kokë.

Sulmuesi më pas ka shkuar në Qendrën Islamike Linwood, ku ka qëlluar dy persona jashtë saj dhe më pas në dritare.

Gjatë seancave dëgjimore që u mbajtën këtë javë, gjykata dëgjoi se si sulmuesi ka planifikuar të sulmojë edhe një tjetër xhami, por është ndaluar nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG