Ndërlidhjet

Mijëra persona mblidhen në marshin historik të Uashingtonit


Pamje nga protestat në Uashington.

Mijëra persona janë mbledhur në Uashington për të përkujtuar marshin e vitit 1963 për të drejta të njeriut, derisa ky organizim është parë edhe si shenjë proteste për dhunën e policisë.

Familjet e amerikanëve me ngjyrë, që janë vrarë nga policia, do të flasin në vendin e njëjtë ku Martin Luther King Jr, ka mbajtur fjalimin e njohur “E kam një ëndërr”.

Ngjarja e së premtes është quajtur, Marshi i Përkushtimit: Hiqni gjurin tuaj nga qafa jonë, referencë për vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd teksa ka qenë në mbajtje policore.

Marshi i së premtes pason edhe protestat që janë zhvilluar rreth të shtënave të policisë ndaj një tjetër amerikani me ngjyrë, Jacob Blake.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe lideri për të drejta të njeriut, Reverend Al Sharpton dhe Martin Luther King III – djali i madh i King Jr.

Marshi i vitit 1963 në Uashington është konsideruar seizmik për historinë amerikane, duke rezultuar më vonë me Aktin për të Drejta Civile, përmes së cilit u është dhënë fund ndasive në baza racore në vitin pasues.

Rreth 250,000 persona janë mbledhur në rrugën prej tri kilometrash, nga zona përkujtimore e ish-presidentit Abraham Lincolnit deri te zona tjetër përkujtimore e Uashingtonit, duke e kthyer atë ngjarje në organizimin më të madhe politik që ka parë Uashingtoni deri në atë periudhë.

Në marshin e këtij viti pritet të bëhet thirrje për reforma policore dhe pjesëmarrje në procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

Për shkak të masave të marra kundër koronavirusit, njerëzit janë inkurajuar që të marrin pjesë në këtë marsh në mënyrë virtuale.

Në Uashington është thënë se marshuesve do t’iu matet temperatura si dhe vendosja e maskave do të jetë e detyrueshme.

XS
SM
MD
LG