Ndërlidhjet

Pandemia dhe konfliktet me Perëndimin thellojnë marrëdhëniet Rusi-Kinë 


Ndërtimi i impiantit më të madh të polimerëve në botë. 
Ndërtimi i impiantit më të madh të polimerëve në botë. 

Rusia ka nisur punën në një nga impiantet më të mëdha të polimerëve në botë.

Projekti masiv, në vlerë prej 11 miliardë dollarësh, do të prodhojë përbërës plastike dhe synon tregun e Kinës.

I vendosur në Amur të Lindjes së Largët të Rusisë, pranë kufirit me Kinën, projekti zhvillohet nga kompania petrokimike ruse Sibur Holding, së bashku me gjigantin kinez Sinopec Group, i cili do të mbajë 40 për qind të aksioneve.

Prodhimi planifikohet të nisë në vitin 2024.

Impianti, i cili është një nga projektet më të mëdha të investimeve në Rusi, është pjesë e iniciativave të reja në rritje midis Pekinit dhe Moskës.

Lidhjet e këtyre dy vendeve janë duke u thelluar në kohën e presionit që bën pandemia e koronavirusit, por edhe të tensioneve politike dhe ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Nga projektet e mëdha të gazit në Arktikun e Rusisë deri te forcimi i partneritetit në teknologjinë e lartë, Pekini dhe Moska janë duke gjetur gjithnjë e më shumë mundësi për bashkëpunim.

Në dhjetor, Rusia ka nisur dërgimin e gazit natyror në Kinë përmes tubacionit prej 2,900 kilometrash “Power Of Siberia”, ndërsa në mars, presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë publike planet për të filluar punën në një tubacion të dytë, “Power Of Siberia 2”.

Dhe, derisa tregtia Kinë-Rusi ka rënë në pesë muajt e parë të vitit, për shkak të ngadalësimit global ekonomik, tregtia dypalëshe është rritur në vitin 2019 në një rekord prej më shumë se 110 miliardë dollarësh.

Dy vendet kanë thënë po ashtu se janë duke bashkëpunuar drejt testimit të vaksinave për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Në pothuajse çdo front, Rusia dhe Kina janë duke u afruar”, thotë Artyom Lukin, studiues i marrëdhënieve Kinë-Rusi në Universitetin Federal të Lindjes së Largët në Vlladivostok.

"Shohim trend afatgjatë të rritjes së rëndësisë ekonomike të Kinës për Rusinë", thotë Lukin për Radion Evropa e Lirë.

Ndërtimi i lidhjeve

Por, derisa pandemia e ka bërë Kinën një treg të rëndësishëm për Rusinë, Moska është bërë një partner më i nevojshëm për Pekinin për shkak të përplasjeve të Kinës me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për një varg çështjesh: nga lufta tregtare deri te problemet që përfshijnë Hong Kongun dhe të drejtat në Detin e Kinës Jugore.

Pekini dhe Moska janë bashkuar edhe kur Rusia ka aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe është goditur me sanksione nga Perëndimi.

Gjatë asaj periudhe, ka qenë Rusia ajo që është mbështetur te Kina - ndonjëherë edhe ngurruese - për të thelluar marrëdhëniet dhe për t'i shpëtuar presionit të SHBA-së.

Tani, kur lidhjet e tyre janë shtrirë në fusha të tilla si: ushtria, teknologjia dhe financat, këto role janë duke ndryshuar.

Rruga lindore e ceremonisë zyrtare të shkëmbimit të gazit natyral me Kinës nga termocentrali i Siberisë
Rruga lindore e ceremonisë zyrtare të shkëmbimit të gazit natyral me Kinës nga termocentrali i Siberisë

"Para Trumpit, Kina ishte e kujdesshme ndaj bashkëpunimit gjeopolitik me Moskën, në një masë të plotë. Por, sipas Pekinit, presioni i SHBA-së nuk do të qetësohet, kështu që nuk ka zgjidhje tjetër veçse të lëvizë më pranë Rusisë", thotë Lukin.

"Sot, është Kina, jo Rusia, ajo që është më e interesuar të formojë këtë kuazi-aleancë", thekson ai.

Bashkëpunimi Rusi-Kinë ka filluar në vitin 2014, pas aneksimit me forcë të Krimesë dhe luftës që ka pasuar në lindje të Ukrainës, dhe që atëherë është rritur në disa fusha.

Një nga to janë përpjekjet për të kufizuar mbështetjen në dollarin amerikan - një proces i quajtur de-dollarizim.

Dollari amerikan mban një vend të fuqishëm në sistemin financiar global.

Zëvendësimi i dollarit në marrëveshjet tregtare është bërë domosdoshmëri për të anashkaluar sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë dhe këto përpjekje janë rritur me shpejtësi edhe pas vendosjes së tarifave të Uashingtonit mbi mallrat kineze.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh në lidhje me përpjekjet për të kufizuar rolin e privilegjuar të dollarit në botë.

Edhe pse përpjekjet e tilla nuk kanë pasur shumë sukses, Pekini dhe Moska kanë bërë ca përparim kohët e fundit.

Të dhënat e reja nga Banka e Rusisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2020, aksionet e dollarit në tregtinë midis Rusisë dhe Kinës kanë rënë nën 50 për qind, për herë të parë.

Ky është një ndryshim i dukshëm duke pasur parasysh se dollari përbënte më shumë se 90 për qind të tregtisë në vitin 2014.

Derisa dollari ende përbën 46 për qind të marrëveshjeve midis tyre, euroja është rritur dhe është bërë monedhë e zgjedhur.

"Kjo është duke ndodhur për disa vite dhe nuk është aspak e kufizuar vetëm në Rusi dhe Kinë", thotë për Radion Evropa e Lirë Zhang Xin, profesor në Qendrën për Studime Ruse në Universitetin e Kinës Lindore të Shangait.

"Por, kjo tregon se si, që nga viti 2014, dy vendet po bashkohen përmes presionit të përbashkët të jashtëm, nga [Shtetet e Bashkuara] në veçanti", shton ai.

Lundrimi në një realitet të ri

Pandemia dhe rënia e çmimeve të naftës kanë dëmtuar xhepat e Rusisë, duke e bërë atë më të varur nga Kina ekonomikisht.

Në sferën e energjisë, Rusia ka zhvendosur Arabinë Saudite si furnizuesin më të madh të naftës në Kinë. Dhe Gazprom - kompania gjigante e gazit në Rusi - planifikon më shumë se trefishimin e furnizimeve të gazit në Kinë, përmes tubacioneve të reja, që përmbushin gati gjysmën e kërkesës aktuale të Kinës.

Rusia po përpiqet gjithashtu të përfitojë nga lufta tregtare SHBA-Kinë, duke i rritur eksportet e saj të ushqimit dhe mineraleve, në kurriz të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore.

Apeli politik i Rusisë është rritur derisa Pekini e gjen veten duke u përballur me një presion të ri global: Projekti i tij i politikës së jashtme, Nisma e Rripave dhe Rrugëve, ka pësuar pengesa, për shkak të shqetësimeve të vendeve nikoqire për borxhet në rritje. Pastaj, pandemia që është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, e ka dëmtuar besueshmërinë e Pekinit.

Përballë këtij presioni, Kina i ka kthyer sytë kah Rusia.

Gjatë takimit vjetor legjislativ të Kinës në maj, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, e ka lavdëruar Rusinë, duke thënë se ajo e ka mbështetur Pekinin dhe se të dyja vendet do të qëndrojnë “krah për krah” përballë përpjekjeve të SHBA-së për ta mbajtur Pekinin përgjegjës për pasojat e pandemisë.

"Modeli i bashkëpunimit ka ndryshuar këtë vit", thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksei Maslov, drejtor i Institutit të Studimeve të Lindjes së Largët në Akademinë ruse të Shkencave.

“Kina mendon se pozicioni i saj në botë nuk është aq i qëndrueshëm sa më parë. Kjo ka bërë që ata të ndryshojnë mendim ndaj Rusisë dhe të bëhen më bashkëpunues”, shton Maslov.

Një e ardhme e pasigurt

Por, lidhjet në rritje midis Kinës dhe Rusisë i maskojnë edhe tensionet nën sipërfaqe.

Derisa Moska është e etur të përfitojë nga mundësitë financiare në Kinë, ajo është gjithashtu e kujdesshme për t'u bërë shumë e varur nga Kina, si ekonomikisht, ashtu dhe politikisht.

“Unë nuk mendoj se mund ta quani aleancë”, thotë Masllov.

“Tani për tani, interesat ruse dhe kineze përkojnë, por ka shumë fusha që mund të krijojnë probleme dhe ta prishin bashkëpunimin", shton ai.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Projektet si fabrika e polimerit në Amur janë përshëndetur nga të dyja palët, por iniciativat e kaluara, të tilla si një fabrikë për mbushjen e ujit në Liqenin Baikal, janë përballur me protesta në Rusi.

Fazat fillestare të pandemisë kanë qenë po ashtu një burim fërkimesh, pasi Rusia ka mbyllur kufirin e saj gati 4,200 kilometra me Kinën.

Në qershor, ndërkaq, Valery Mitko, shkencëtar rus në pension, është arrestuar nën akuzat për kalimin e sekreteve ruse të teknologjisë te Kina. Mitko i ka mohuar akuzat, por rasti ka nxjerrë në pah dyshimet që ende i karakterizojnë marrëdhëniet e dy vendeve.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG