Ndërlidhjet

Trump pranoi se e ka minimizuar kërcënimin nga koronavirusi


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e minimizoi qëllimisht seriozitetin e kërcënimit nga koronavirusi në deklaratat e tij publike gjatë muajve të parë të pandemisë, thuhet në librin e ri të gazetarit veteran, Bob Woodward.

“Doja gjithmonë ta minimizoja”, i ka thënë Trump Woodwardit në një intervistë për librin e tij “Rage”, më 19 mars.

“Ende më pëlqen ta minimizoj, sepse nuk dua të shkaktoj panik”, ka thënë Trump.

Në një tjetër intervistë më 7 shkurt, Trump ka thënë: “Është më vdekjeprurës se gripi juaj i mundimshëm”.

“Është një gjë vdekjeprurëse”, ka thënë ai.

Gazeta Washington Post publikoi të mërkurën fragmente të librit dhe zërin e disa intervistave.

"Trump kurrë nuk dukej i gatshëm për të mobilizuar plotësisht qeverinë federale dhe vazhdimisht dukej se i shtynte problemet te shtetet", shkruan Woodward në libër.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha se presidenti ka dashur të reflektojë qetësi në një kohë të vështirë.

“Presidenti kurrë nuk e ka gënjyer publikun amerikan për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, ka thënë McEnany në një konferencë për media.

Trump është kritikuar ashpër nga rivali i tij demokrat, Joe Biden, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, për menaxhimin e pandemisë, e cila ka vrarë gati 190,000 amerikanë.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 27 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 898,000 kanë humbur jetën dhe mbi 18 milionë janë shëruar.

XS
SM
MD
LG