Ndërlidhjet

Përmirësohet gjendja shëndetësore e Navalnyt


Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny.
Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Gjendja shëndetësore e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, është përmirësuar dhe ai tani është në gjendje të flasë, raportojnë Der Spiegel dhe mediat tjera.

Lideri opozitar, 44-vjeçar, është duke u trajtuar në një spital në Berlin, pasi i është përkeqësuar gjendja në Siberi muajin e kaluar.

Mjekët gjermanë kanë thënë se ai i është ekspozuar agjentit nervor të kategorisë ushtarake, Noviçok.

Më herët sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se ka shumë mundësi që helmimi i udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalny, të jetë urdhëruar nga zyrtarë të lartë në Moskë.

Pompeo, duke folur në një intervistë më 9 shtator, tha se njerëzit në të gjithë botën "e shohin këtë lloj aktiviteti për atë që është".

Më pak se një pikë uji: Çfarë sasie e Noviçokut është dozë fatale?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

"Dhe, kur ata shohin përpjekjen për të helmuar një disident dhe ata e pranojnë se ekziston një mundësi thelbësore që kjo të jetë bërë nga zyrtarë të lartë rusë, mendoj se kjo nuk është e mirë për popullin rus", tha Pompeo.

Ekipi i Navalnyt, të afërmit e tij dhe të tjerët besojnë se autoritetet ruse janë prapa helmimit. Kremlini i ka mohuar akuzat.

Navalny papritmas u sëmur gjatë një fluturimi më 20 gusht dhe u evakuua në Gjermani me kërkesë të gruas së tij, disa ditë më vonë.

Autoritetet ruse kanë refuzuar të hapin një hetim penal, duke thënë se nuk janë gjetur prova të forta të helmimit.

Rusia tha më herët më 9 shtator se i kishte shprehur një protest të fuqishme të dërguarit të Berlinit në Moskë rreth "akuzave dhe ultimatumeve të pabaza" të bëra nga Gjermania mbi sëmundjen e Navalny.

Gjatë një takimi në ministrinë e Jashtme Ruse, ambasadori gjerman u paralajmërua se një refuzim nga Berlini për të dhënë informacione në Moskë do të shihej si një "provokim armiqësor" që do të kishte " pasoja", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Qeveria gjermane tha se rezultatet e provave që tregojnë se Navalny ishte viktimë e një sulmi me agjent nervor i janë dorëzuar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Qeveria nuk sheh asnjë arsye për t'ia dorëzuar provat drejtpërdrejt Rusisë, u tha gazetarëve, Martina Fietz, një zëdhënëse e qeverisë gjermane.

"Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje palës ruse për të dhënë më shumë informacione", tha ajo.

Para se ambasadori gjerman të thirrej nga zyrtarët rusë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kritikoi "qëndrimin plotësisht të papërshtatshëm të Gjermanisë ndaj kërkesave zyrtare".

Ai e quajti tonin e Gjermanisë "absolutisht të papranueshëm".

Më herët gjatë ditës, ministria e Jashtme ruse akuzoi G7-n (grupi i vendeve më të industrializuara) për një "fushatë masivë dezinformimi" për të fituar mbështetje për sanksionet mbi çështjen "Navalny".

Deklarata erdhi pasi ministrat e jashtëm të G7-s dënuan "helmimin e konfirmuar" të Navalnyt dhe kërkuan që Rusia të gjejë dhe ndjekë penalisht shpejt përgjegjësit.

Spitali i Berlinit, ku Navalny po trajtohet, tha më 7 shtator se ai ishte zgjuar nga një gjendje kome e shkaktuar nga mjekësia dhe po u përgjigjej stimujve verbalë.

Sidoqoftë, ende nuk dihet se çfarë efektesh afatgjata do të pësojë ai.

Navalny ka udhëhequr protestat mbarëkombëtare kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe në të kaluarën është sulmuar me një kimikat të rrezikshëm në një qendër paraburgimi rus.

Kundërshtarë të tjerë të Kremlinit janë vrarë ose shënjestruar në vitet e fundit, duke përfshirë gazetaren hulumtuese, Anna Politkovskaya, ish-oficerin rus të sigurisë Aleksandr Litvinenko, ish -zëvendëskryeministrin rus dhe udhëheqësin e opozitës Boris Nemtsov dhe ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal.

Skripal dhe vajza e tij, Julia, u helmuan me Noviçok në qytetin britanik të Salisbury në 2018, dhe hetuesit britanikë, për këtë rast, kanë implikuar agjencitë ruse të sigurisë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG