Ndërlidhjet

Hoti: Kosova ka bërë përgatitjet e nevojshme për nisjen e vitit të ri shkollor


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që më 14 shtator të nisë viti i ri shkollor.

Hoti, përmes një postimi në Facebook tha se mbajtja e mësimit do të bëhet duke respektuar të gjitha udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

“Tash është në dorën tonë si prindër që të kujdesemi që fëmijët tanë të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e IKSHPK-së, duke filluar nga shfrytëzimi i transportit për në shkollë, hyrja në shkollë, qëndrimi në klasë, mbajtja e distancës, mbajtja e maskës, pastërtia e duarve dhe udhëzimet e tjera”, ka shkruar Hoti.

Kryeministri Hoti ka thënë se pavarësisht se numri i rasteve të reja me koronavirus ka rënë ditëve të fundit, rreziku nga infektimi me këtë virus, vazhdon të mbetet i lartë.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t'i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

XS
SM
MD
LG