Ndërlidhjet

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin e përkohshëm të financimit të qeverisë amerikane


Ndërtesa e Kongresit në Shtetet e Bashkuara.
Ndërtesa e Kongresit në Shtetet e Bashkuara.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, më 22 shtator, miratoi ligjin e përkohshëm të buxhetit për të shmangur një mbyllje të qeverisë, vetëm gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Dhoma votoi 359-57 në favor të masës, pasi demokratët arritën një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë dhe ligjvënësit republikanë.

"Ne kemi arritur një marrëveshje me republikanët", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në një deklaratë pas një marrëveshjeje me Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, për të parandaluar mbylljen e pjesëve të mëdha të qeverisë pas përfundimit të vitit fiskal më 30 shtator.

Ligji dypartiak duhet të miratohet nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti, Donald Trump.

Ligji gjithashtu i jep administratës autoritet të vazhdueshëm për të siguruar subvencione për fermerët, por me një rritje të përgjegjësisë për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve, tha Pelosi.

Republikanët kishin refuzuar një projektligj të mëparshëm, duke thënë se ai injoronte nevojat e fermerëve. Kjo është një çështje kryesore pasi si demokratët ashtu edhe republikanët kërkojnë vota në zonat rurale përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ligji pritet të miratohet nga Senati i udhëhequr nga republikanët, pasi asnjëra palë nuk dëshiron një mbyllje të qeverisë, kaq afër zgjedhjeve dhe në mes të pandemisë së koronavirusit.

Ligji afatshkurtër i jep kohë Kongresit që deri më 11 dhjetor të arrijë një marrëveshje më të gjerë për buxhetin e vitit 2021.

XS
SM
MD
LG