Ndërlidhjet

Hoti diskuton për projektet kapitale me përfaqësuesit e DFC-së


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi janë takuar të enjten në Prishtinë me përfaqësuesit e Korporatës Financiare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Caleb McCarry, Brian Martalus dhe John Jovanoviq, për të diskutuar rreth zbatimit të projekteve të parapara me marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Pjesë e këtij takimi të enjten ka qenë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Gjatë këtij takimi, diskutimi u përqendrua në fusha të veçanta, respektivisht në projektet kapitale, si: autostrada, hekurudha dhe energjia”, është cituar të ketë thënë Hoti në një komunikatë për media.

Një ditë më parë, kryeministri Hoti ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj duhet të shfrytëzojnë momentumin e ri, të krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington.

Sipas tij, Kosova për pesë vjet do të kthehet në një zonë të gjallëruar me shumë vende pune.

Më herët gjatë kësaj jave përfaqësues të DFC-së kanë nënshkruar marrëveshje me përfaqësues nga Kosova dhe Serbia për zbatim të pikave që parashihen në marrëveshjen e 4 shtatorit.

Mes tjerash, DFC ka hapur edhe zyrën e saj të parë rajonale në Beograd.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

XS
SM
MD
LG