Ndërlidhjet

Rritet numri ankesave të qytetarëve ndaj policisë për përdorim dhune


Policia e Maqedonisë së Veriut

Autoritetet e larta shtetërore në Maqedoninë e Veriut, subjektet politike si dhe organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e njeriut, kanë dënuar ashpër dhunën e shfaqur nga ana e organeve të policisë në qytetin e Manastirit ndaj dy qytetarëve me përkatësi rome.

Të enjten në rrjetet sociale u paraqit video ku tre pjesëtarë të policisë së Maqedonisë së Veriut në qytetin e Manastirit ushtrojnë dhunë ndaj një qytetari të shtrirë për tokë dhe në momentet që realizohet video regjistrimi, ai nuk shpreh rezistencë.

Gjatë ditës në media janë paraqitur tre qytetarë, të cilët kanë thënë se nuk është vetëm një qytetar siç duket në video, por janë tre qytetarë që janë dhunuar nga policia pas incidentit që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në qytetin e Manastirit pas një aksidenti në komunikacion që ata e kishin shkaktuar.

Nga dikasteri i policisë së Maqedonisë së Veriut thonë se për ta është i njohur identiteti i pjesëtarëve të forcave të sigurisë që janë shfaqur në video dhe se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.

Vetë kreu i dikasterit të policisë, Oliver Spasovski, ka bërë të ditur se tashmë është ngritur padi penale kundër njërit polic që kishte rrahur një qytetar në Manastir.

“MPB-ja dënon çfarëdo dhune, veçanërisht kur atë e bën një zyrtar policor”, ka thënë Spasovski.

Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, është në rritje numri i ankesave të qytetarëve ndaj shfaqjes së veprimeve të dhunshme nga ana e pjesëtarëve të policisë.

“Në vitin 2019 ne kishim vetëm tri raste për të cilat qytetarët parashtruan ankesa se janë viktima të dhunës nga ana pjesëtarëve të policisë, përderisa gjatë vitit 2020 ky numër është rritur dukshëm. Deri më tani, akoma pa përfunduar viti, ne kemi 15 raste ku qytetarët ankohen se policia në mënyrë joprofesionale përdor mjetet e dhunës. Maqedonia ka problem serioz me joefikasitin e ndjekjes së proceduarave ndaj policëve në rastet kur qytetarët paraqiten si viktimë”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Lidhur me këtë, Qebir Avziu, ish-zyrtar i lartë në dikasterin e policisë, si pjesë e Komisionit për kontroll të brendshëm në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, thotë për Radion Evropa e Lirë se policia tregon se sa është profesionale kur arrin të shmangë përdorimin e forcës edhe në rastet kur është përmbushur ana ligjore, por përdorimi i dhunës nuk është i dosidoshëm.

“Ka raste në praktikë kur plotësohen kushtet ligjore që të përdoret forcë ndaj qytetarëve që refuzojnë urdhrat, por kjo nuk përdoret me automatizëm, ngase nuk është e nevojshme, sepse nëse qëllimi ligjor mund të arrihet pa përdorimin e forcës, në atë rast është i ndaluar përdorimi i forcës nga ana e organeve të sigurisë. Dhe, nga kjo video (e cila u transmetua në rrjetet sociale) ishte e qartë se përdorimi i forcës nga ana e pjesëtarëve të policisë në rastin konkret nuk ishte profesionale".

"Pra, ligji, rregullorja për punën e policisë e përcakton qartë se si duhet të përdoret forca në mënyrë profesionale. Ndaj qytetarit, i cili ishte i shtrirë në rrugë dhe i cili duket se ishte i neutralizuar, ndalohet përdorimi i forcës. Në rastet e këtilla kur përdoret forca pa nevojë, kërkohet përgjegjësi nga pjesëtari i policisë”, thekson Avziu.

Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thekson për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente të dikasterit të policisë gjatë trajnimeve të organeve të sigurisë, vëmendje të veçantë duhet kushtuar segmentit psikik, që pjesëtarët e policisë të mos bien pre e provokimeve verbale të qytetarëve në rastet kur ata rezistojnë t’iu binden urdhrave të organeve të sigurisë.

“Çështja qëndron në atë se sa punohet me përgatitjen psikike të policëve që ata mos të bien pre e provokimeve në situata të ndryshme. Pra, këtu qëndron çështja, policët në vazhdimësi kanë trajnime për aftësimin e tyre në aspektin profesional, por përgatitja e tyre fizike nuk është adekuate me përgatitjen e tyre psikike në rolin që kanë organet e sigurisë për të vepruar në situata të caktuara”, thotë Trajanov.

Ndërkaq, organizata joqeveritare “Avaja”, e cila ka shpërndarë këtë video në rrjetet sociale, thotë se do të organizojë protesta kundër shfaqjes së dhunës nga ana pjesëtarëve të sigurisë ndaj qytetarëve.

XS
SM
MD
LG