Ndërlidhjet

Nasim Haradinaj do të dalë para Dhomave të Specializuara më 29 shtator  


Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë më 29 shtator.

Sipas Dhomave të Specializuara, paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, duke nisur nga ora 15:00, e cila mund të përcillet edhe përmes video-linkut.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator në një lagje të Prishtinës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhet në njoftimin e këtyre dhomave.

Më 25 shtator është arrestuar edhe kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili dyshohet po ashtu për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyret e kësaj organizate, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjat më shumë se tetë orë.

Arrestimi i Haradinajt dhe Gucatit ndodhi pasi kjo organizatë të cilën ata e udhëheqin, tri herë radhazi mbajti konferenca për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

XS
SM
MD
LG