Ndërlidhjet

Presidenti Trump infektohet me koronavirus


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.

“Sonte, unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me COVID-19 [v.j. sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Do të nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, shkroi Trump në Twitter, në orët e para të së premtes, sipas kohës lokale.

Mjeku i tij, Sean Conley, tha se presidenti dhe Zonja e Parë janë "mirë aktualisht" dhe se "ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi, brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë rimëkëmbjes së tyre".

“Pres që presidenti të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit dhe unë do t'ju mbaj të informuar për çdo zhvillim në të ardhmen," tha Conley.

Është e paqartë se çfarë simptomash kanë - nëse kanë - presidenti dhe gruaja e tij.

Disa orë më herët, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.

Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.

Trump njoftoi në një tjetër postim në Twitter se ai dhe Zonja e Parë janë duke pritur rezultatet e tyre të testit dhe se do të hyjnë në karantinë.

“Hope Hicks, e cila ka punuar shumë, pa bërë asnjë pushim të vogël, sapo ka dalë pozitive me COVID-19. E tmerrshme! Zonja e Parë dhe unë jemi duke pritur rezultatet e testit tonë. Ndërkohë, ne do të nisim procesin e karantinës”, shkroi Trump.

Hicks udhëtoi me presidentin në avionin Air Force One për debatin e parë presidencial, në Kllivllend, më 29 shtator, dhe me helikopterin e presidentit Marine One, për një tubim në Minesota, më 30 shtator.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha përmes një deklarate se presidenti “e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e vetes dhe të të gjithëve që punojnë në mbështetje të tij dhe të popullit amerikan”.

"Operacionet e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunojnë me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë, për të siguruar se të gjitha planet dhe procedurat përfshijnë udhëzimet aktuale të CDC-së [v.j. Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve] dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19, në masën më të madhe të mundshme, si në kompleks, ashtu edhe kur presidenti udhëton”, tha Deere.

Hicks, më herët, ka shërbyer si drejtore e komunikimeve e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa është ribashkuar me administratën këtë vit, përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Hope Hicks
Hope Hicks

Në muajt e fundit, disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë me koronavirus, përfshirë Katie Millerin, sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien.

Shtëpia e Bardhë teston çdo ditë ndihmësit dhe këdo tjetër që bie në kontakt me presidentin.

Nga postimi i Trumpit në Twitter, është e paqartë se çfarë do të përfshijë karantina dhe nëse ai planifikon ta ndalojë fushatën për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Trump është 74 vjeç dhe kjo e vë atë në rrezik më të lartë nga komplikimet serioze që mund të sjellë koronavirusi.

Koronavirusi ka prekur mbi 7.2 milionë amerikanë. Prej tyre, mbi 200,000 kanë vdekur dhe mbi 2.8 milionë janë shëruar.

Udhëheqësit botërorë i urojnë Trumpit shërim të shpejtë

Me testimin pozitiv, Trump iu bashkohet disa udhëheqësve të tjerë botërorë, që kanë pasur koronavirusin, përfshirë kryeministrin britanik, Boris Johnson, presidentin brazilian, Jair Bolsonaro, dhe udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Njoftimi nxiti mesazhe simpatie nga e gjithë bota për presidentin amerikan.

Presidenti rus, Vladimir Putin, kryeministri britanik, Johnson, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreysus, i uruan Trumpit dhe Zonjës së Parë shërim të shpejtë.

"Jam i bindur se gjallëria juaj, disponimi i mirë dhe optimizmi do t'ju ndihmojnë të përballeni me këtë virus të rrezikshëm", citoi Kremlini mesazhin e Putinit.

“COVID-19 është një betejë që ne të gjithë vazhdojmë ta luftojmë. Çdo ditë. Pavarësisht se ku jetojmë", tha Michel.

Në Francë, zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, gjithashtu i uroi presidentit amerikan "shërim të shpejtë", por ai iu referua edhe rezistencës së dukshme të Trumpit për të dëgjuar ekspertizën shkencore në lidhje me pandeminë.

"Kjo tregon se virusi nuk kursen askënd, as ata që kanë treguar skepticizëm", tha ai.

Testi pozitiv i Trumpit - udhëheqës i ekonomisë më të madhe në botë - po ashtu shkaktoi pasiguri tek investitorët.

Aksionet në tregjet amerikane dhe aziatike ranë pas lajmit, ashtu si edhe çmimet botërore të naftës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG